Kreu i Qeverisë, Albin Kurti ka reaguar nga Gjilani pasi nuk iu përgjigj sërish ftesës nga Prokuroria, raporton Gazeta Enigma.
Ai ka theksuar se “Prokuroria lirinë po e keqpërdorë për ta luftuar qeverinë, e jo krimin e korrupsionin”
“Qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim, dhe të jepet dëshmia nga ana ime. Nëse Prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme, ajo do të vinte tek ne. Një prokuror që e ka synim dëshminë e dëshmitarit, nuk humb kohë. Pse i hup Prokuroria tre muaj? Është më shumë e interesuar të mbush ballinat e ndonjë portalit të oligarkut, se të sjell drejtësi. Kurrë Prokuroria nuk ka qenë më e lirë për të vepruar, lirinë po e keqpërdorë për ta luftuar qeverinë, e jo krimin e korrupsionin. Nuk ka qeveri që e ka luftuar korrupsionin e krimin si qeveria jonë në këto katër vite”, tha Kurti.
“Vëreni se çfarë raste prioritizohen, ka vite të tëra që denoncimet tona nuk trajtohen. Në mars 2021 për një vit e 5 muaj deri në gusht 2022, ministrat e qeverisë që udhëheqë unë kanë dorëzuar 247 kërkesa për hetime ose kallëzime penale, asnjëra prej tyre nuk ka prodhuar hetim me aktakuzë. Çka prioritizon Prokuroria, flet për Prokurorinë, e jo për krimin e korrupsionin. Ju e dini që zgjedhjet nuk mbahen për Kryeprokuror, për Kuvend e qeveri. Kryeprokurorët janë aty të barrikaduar si në Prokurorinë Speciale sidomos në KPK dhe kjo është për të ardhur keq. Ky është dëm i vazhdueshëm, padrejtësi e pafalshme që po i bëhet shtetit tonë. Përderisa Prokuroria nuk ndryshon qasje e as udhëheqje, nuk kam pse ndryshoj as unë qëndrim”, tha ai.