Vendimi i SHBA-së për të penalizuar Kosovën pas përleshjeve të dhunshme që lanë rreth 30 ushtarë të KFOR-it të plagosur është edhe befasues edhe “reagim i tepruar”, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti të mërkurën për POLITICO.
Në përgjigje të krizës në thellim, Uashingtoni shkoi deri në anulimin e pjesëmarrjes së Kosovës në një stërvitje ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja dhe deklaroi se tani ka pak entuziazëm për të ndihmuar Kosovën të ecë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.
“Ne kemi një ndryshim të vogël në qasje – dhe mendoj se të menduarit për sanksione kundër Kosovës duket joproporcionale dhe e padrejtë”, tha Kurti në një intervistë në margjinat e konferencës GLOBSEC në Bratislavë. “Isha i befasuar”, shtoi ai, duke e karakterizuar përgjigjen amerikane si një “reagim të tepruar”.
SHBA-ja dhe aleatët e saj perëndimorë e kanë qortuar ashpër Prishtinën mes tensioneve në rritje në rajon lidhur me vendimin e Kosovës për të instaluar me forcë kryetarët shqiptarë etnikë në ndërtesat komunale në zonat me shumicë serbe, pavarësisht një pjesëmarrjeje prej nën 4 për qind në zgjedhjet e fundit lokale.
NATO këtë javë vendosi 700 trupa paqeruajtëse shtesë në Kosovë pasi 30 ushtarë nga KFOR-i u plagosën gjatë një konfrontimi me protestuesit serbë të hënën.
Kurti megjithatë ka insistuar se forcat policore janë duke qëndruar në vend.
“Turma e dhunshme duhet të largohet – ose duke shkuar në burg ose në Serbi”, tha ai. Vetëm atëherë, shtoi Kurti, Kosova do të “ulë numrin e policëve”.
Kryeministri fajësoi qeverinë e Serbisë për rritjen e fundit të tensioneve. Dhe i pyetur nëse ka frikë se situata aktuale mund të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë, Kurti paralajmëroi, “mundet”. Por, shtoi ai, kjo “varet” nga Beogradi.
Në intervistën e së mërkurës, Kurti ka treguar se do të ishte i gatshëm të bisedonte me Vuçiqin nëse organizohet një takim. Por kryeministri drejtoi gishtin edhe drejt kryeqyteteve perëndimore.
“Ajo që ne shohim nga Perëndimi demokratik është një qasje e caktuar zbutëse”, tha ai. “Kështu erdhëm deri në këtë pikë”.