Sot është bërë lansimi i hallkave për mbikëqyrje elektronike, raporton Gazeta “Enigma”.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se me sistemin e hallkave për mbikëqyrjen elektronike do të reduktohet dhuna në familje.
“Hallkat, byzylykët që do të vendosen në dorën ose këmbën e dhunuesit ose të dyshuarit. Në anën tjetër edhe gjurmuesit të cilët do t’i kenë viktimat në mënyrë që ta luftojmë suksesshëm si asnjëherë më parë dhunën në familje. Në rast se do të ketë situata të tilla ku brenda një zone të caktuar viktimës i afrohet i dyshuari ose dhunuesi menjëherë do të lajmërohen të dy nivelet, edhe lokal edhe ai qendror i policisë dhe më pastaj janë procedura standarde për ndërhyrje”, tha Kurti.
Tutje ai ka shtuar se “defekti nuk është mungesa e hallkave për monitorim elektronik, por mos respektimi i urdhrave mbrojtëse. Kjo do ta reduktoj jashtëzakonisht shumë dhunën në familje”.
E ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se këto pajisje të shfrytëzohen edhe për raste tjera të veprave penale por sipas tij fokusi është tek parandalimi i dhunës ne familje.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se kanë përgatitur ekipe për zbatimin e këtij sistemi.