Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka kujtuar 21-vjetorin e sulmit terrorist të 11 shtatorit në SHBA.
“Amerika po sulmohej! Një vrull ndjenjash të përziera mes frikës, zemërimit dhe pafuqisë për t’i dalë në ndihmë vendit që ndali gjenocidin dhe na ndihmoi të fitonim lirinë, përcillnin pamjet apokaliptike të rrëzimit të rrokaqiejve binjakë në New York dhe të shkatërrimit të një pjese të Pentagonit, në afërsi të kryeqytetit amerikan, Washington, D.C”, ka shkruar Kurti.
Ai tha se “sot kujtojmë për të mos i harruar kurrë gati 3 mijë jetë të bukura, nga më shumë se 90 shtete, që u morën mizorisht”.
Kurti ka shkruar se SHBA-të qëndruan këmbëngulëse dhe dëshmuan se asnjë akt terrori nuk ndryshon karakterin e kombit amerikan.
“Ata që sulmuan shpresuan që përmes frikës dhe terrorit ta dobësonin, por ShBA-të qëndruan këmbëngulëse dhe dëshmuan se asnjë akt terrori nuk ndryshon karakterin e kombit amerikan të themeluar mbi besimin se të gjithë janë të krijuar të lirë dhe të barabartë”, ka shkruar ai.