Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, i ka vizituar të martën tre policët e arrestuar ditë më parë nga autoritetet e Kosovës.
“Përshkrimi se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjtë. Ata thonë se në momentin e rrëmbimit kanë qenë te tryeza e improvizuar, kanë qenë duke ngrënë drekë. Së bashku, kur 15 persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e kanë rrëfimin e njëjtë, kur pyeten ndaras nga ambasadori ynë Jetish Jashari”.
Në një konferencë për media me gazetarë, bashkë me ministren e Jashtme Donika Gërvalla, Kurti ka insistuar se policët janë rrëmbyer dhe se një veprim i tillë ka qenë hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës, për shkak të, siç ka thënë, luftimit të krimit të organizuar.
Sipas Kurtit, Serbia “me këto akte agresioni” synon destabilizim në Kosovë.
Zyrtarët policorë të Kosovës janë arrestuar nga autoritetet serbe më 14 qershor.
Prishtina ka thënë se ata janë rrëmbyer në territorin e Kosovës, ndërsa Beogradi ka thënë se ata janë arrestuar në territorin serb.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për lirimin e tyre, pa kushte.
Më herët gjatë së martës, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”.
I dërguari evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se prioriteti i parë është shtensionimi i situatës.
“Nëse nuk arrijmë ta shtensionojmë [situatën], do të kemi viktima”, ka thënë ai, përgjatë një bisede bashkë me Escobarin në Këshillin e Atlantikut në Uashington.
Këto zhvillime pasojnë tensionet në veri të Kosovës prej 26 majit.