Kryeministri Albin Kurti tha se rezultatet e dobëta në testet që i bën programi ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve – PISA, treguan për “defekte strukturore e kronike të sistemit arsimor që shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë sonë”.
Kurti përmendi në fillim të mbledhjes së Qeverisë arsimin e lartë publik falas dhe tha se “shkollimin preofesional po e lidhim me tregun e punës përmes arsimit dual”, ndërsa për rezultatet në PISA, fajin ua la mësimdhënësve, raporton Gazeta Express.
“Por natyrisht që jemi të shqetësuar për rezultatet e testit PISA për vendin tonë të cilat treguan për defekte strukturore e kronike të sistemit arsimor që shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë sonë dhe as nuk do të mund të rregullohen as përnjëherë e as shpejt”, tha ai.
Kurti tha se “testi PISA po tregon që në fëmijërinë relativisht të hershme diçka nuk po shkon mirë”.
“Qeveria angazhohet për kushte të mira të punës, të mësimdhënies e mësimnxënies, ndërkaq mësimdhënësit duhet të kujdesen që të motivojnë, inspirojnë dhe të garantojnë që nxënësit po mësojnë dhe po dinë”, tha ai.
Kryeministri tha se të rinjtë po i përgatisim “me kohë për nevojat e tregut”.
“Qeverisja kërkon sa përkushtim edhe energji. Përkushtimi është maturi kurse energjia në thelb është rinore. E si qeveri e re e një vendi të ri me popullatë të re, jemi të pëkrkushtuar për rini”, tha Kurti, duke përmendur anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare Shoqata Evropiane e Kartës Rinore.