Kurti: Serbia të mbahet përgjegjëse për krimet e luftës

Kurti: Serbia të mbahet përgjegjëse për krimet e luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për krimet e kryera në luftën në Kosovë.

“Ato nuk parashkruhen dhe s’mund të ketë amnisti për krimet e kryera nga okupatori dha agresori serb gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë ai në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën.

Në këtë mbledhje Kurti ka njoftuar se e ka emëruar Atdhe Hetemin drejtor ekzekutiv të Institutit për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Për të ndërtuar të ardhmen duhet adresuar të shkuarën. Ballafaqimi me të kaluarën është proces shërues dhe mekanizëm i domosodshëm për përparim shoqëror. Duke qenë e drejtë individuale e të mbijetuarve, viktimave dhe familjeve, por edhe kolektive është edhe obligim për shtetin. Shteti duhet të mundësojë që këto të drejta të realizohen. Qeveria është e përkushtuar për të vërtetën, të drejtën për të ditur dhe drejtësinë si parakushte për paqen e qëndrueshme”, ka thënë ai në këtë mbledhje duke shtuar se po jetësohet instituti që do t’i adresojë krimet e Serbisë.

“Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi nuk janë të shkuara. Plagët janë ende të njoma. Ato janë të hapura për mijëra familjarë. I japim prioritet ndriçimit të fatit të të zhdukurve. Gjatë këtij vitit janë kryer gërmime në 11 lokacione prej tyre 5 lokacione kanë rezultuar në gjetjet dhe zhvarrosjen e të paktën 6 viktimave të luftës, pa përfshirë rastet e fundit në Bishtazin, Gjakovë dhe Prizren”, ka shtuar Kurti.

Related Articles