Kreu i Qeverisë, Albin Kurti nuk ka pranuar të flas lidhur me kritikat që pati ndaj mediave të dielën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Gazeta Enigma.
Ai sot u pyet për deklaratën e tij se “kurrë nuk kanë qenë më shumë media kaq shumë kundër qeverisë sesa në këtë katër vjeçarin tonë”.
Por për këtë ai nuk pranoi të jap komente. “Këtu jemi në Klinikën e Radiologjisë. Jemi në Klinikën e Radiologjisë. Për çështje të tjera flasim në vende të tjera, herë të tjera. Faleminderit shumë”, tha Kurti, duke u larguar, pasi paraprakisht ishte ndalur para mikrofonave për të folur për rinovimet në këtë klinikë.
Ndërkohë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e kanë dënuar gjuhën e përdorur nga Kurti ndaj mediave. “AGK-ja e dënon fuqishëm këtë gjuhë ofenduese dhe shumë të rrezikshme të kryeministrit Kurti, që i rendit mediat e Kosovës përkrah Serbisë. Një fjalor i tillë i papranueshëm që vjen nga kreu i Qeverisë, direkt vë në rrezik sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias. Është koha e fundit që zoti Kurti të ndalojë së përdoruri një gjuhë të tillë të nxitjes së urrejtejes ndaj medieve, që pastaj reflektohet dhe shumëfishohet nga shumë prej votuesve të tij”, thuhet në njoftimin e AGK-së. / Gazeta Enigma.