Kurti shkarkon Fadil Kodrën nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent – reagon avokati i tij

Kurti shkarkon Fadil Kodrën nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent – reagon avokati i tij

Kryeministri Albin Kurti, ka shkarkuar nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent, Fadil Kodrën, edhe pse Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, kishte vendosur ta kthyejë Kodrën në AME.

Telegrafi ka siguruar dokumentin, sipas të cilit shkarkimi i referohet gjetjeve të Raportit të Auditimit të vitit 2020, që ministri  i MPB-së, Xhelal Sveçla, i ka përdorur si arsye për pezullimin e Kodrës.

Në këto gjetje, thuhet se Kodra ka bërë keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Me datën 13 tetor 2022, ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, ka suspenduar z. Fadil Kodra, drejtor i Agjencisë për Menaxhim Emergjent, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale, sipas nenit 9 par.2 të Ligjit Nr.04\L-230 për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent”.

“Vendimi i ministrit Sveçla është bazuar në raportin e brendshëm dhe të jashtëm të Auditimit, këtu përfshirë Zyrën Kombëtare të Auditimit, të gjeturat e të cilave dëshmojnë keq menaxhim, dhe me këtë edhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare, vepër kjo e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Lidhur me këtë ka reaguar Faton Fetahu, avokat i Fadil Kodrës.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai e ka thënë se derisa procedura penale fillohet vetëm me vendim të prokurorit të shtetit kur ekziston dyshim i bazuar se është kryer vepër penale.

Sipas tij, Kodra, në mënyrën më të përkryer e demonstron këtë qasje abuzuese të paligjshme dhe arbitrare.

“Në rastin konkret, për pushtetarët Sveçla dhe Kurti është i panevojshëm dhe i papërfillshëm zhvillimi i një procedure të ligjshme, prandaj nuk ka nevojë për prokurorë që të hetojë dyshime të caktuara – ata vetë hetojnë, vetë e kualifikojnë dyshimin e bazuar, vetë akuzojnë dhe vetë dënojnë. Shembulli i z. Kodra, në mënyrën më të përkryer e demonstron këtë qasje abuzuese të paligjshme dhe arbitrare” ka thënë Fetahu.

Kodra ishte shkarkuar edhe një herë nga ministri Sveçla më 15 korrik 2022. Mirëpo, pas afro dy muajve, më 7 shtator 2022, vendimi i të parit të MPB-së ishte anuluar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

Këshilli kishte obliguar Sveçlën që brenda 15 ditëve ta kthejë prapë Kodrën në punë, Por,  13 ditë pas vendimit të KMSHCK-së, më 20 shtator 2022, Sveçla kishte kthyer në punë Kodrën, për të marrë vendimin për largimin e tij pas vetëm një muaji.

Related Articles