Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se po të kishte sanksione ndaj Serbisë nga BE-ja, nuk do të ndodhte as rrëmbimi i tre policëve vitin e kaluar e as vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku, e as nuk do të ishte kjo situatë aktuale.
Kurti tha se mungesa e sanksioneve e ka trimëruar Serbinë, teksa tha se uron që ky trimërim i agresivitetit të Serbisë, të paraqet një etapë të re, ku kuptohet që Kosova është shteti demokratik, ndërsa Serbia është shtet mafioz.
“Unë besoj se zyrtarët e Brukselit duhet ta kenë parë konferencën e Vuçiqit në kazermën ushtarake në Beograd, pikërisht në ditën kur u bënë 10 muaj të rrëmbimit të policëve tanë dhe në ditëlindjen e njësitit special ushtarak “Kobra” i cili i kishte rrëmbyer ata policë. Shteti mafioz, ku kryemafiozi është njëri më publik, duke qenë president atje, s’mund të jetë ndryshe”, tha Kurti.
Tutje, kreu i qeverisë përmendi edhe deklarimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të bërë të shtunën e kaluar nga një kazermë ushtarake në Beograd, ku paralajmëroi arrestimin dhe përndjekjen e qytetarëve të Kosovës që kalojnë nëpër Serbi.
Sipas Kurtit, Vuçiq në konferencë për media deklaroi se “dua të ju informoj se në atë sekondë që prokuroria jonë edhe ministria jonë e Brendshme janë të vendosura që ta kryejnë plotësisht punën e tyre, e besoj që nga java e ardhshme, do të ndiqen dhe arrestohen të gjithë ata që shkelin rendin kushtetues të Serbisë dhe ndodhen aty ku ka pushtet efektiv nga autoritetet kompetente të Serbisë”.
Më tej, Kurti tha se të shtunën, Vuçiq ka deklaruar se “tani të gjithë ju që e shkelni rendin kushtetues të Serbisë, të gjithë ju që në çfarëdo mënyrë merrni pjesë në protesta në çfarëdo mënyre do të mbaheni përgjegjës. Të gjithë shqiptarët që marrin pjesë në to, do të mbajnë përgjegjësi”.
Ai i bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të gjithë shqiptarët që po mbahen në burgjet e Serbisë e që janë ndaluar e arrestuar atje, të lirohen menjëherë.
“Po them të gjithë shqiptarët, sepse nuk e dimë sa prej tyre po mbahen në burg”, tha Kurti.