Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, janë takuar me drejtorin e Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjsek, dhe drejtuesin e Divizionit Përgjegjës për Transpozimin dhe Zbatimin e Acquis të BE-së, Albert Kolgeci.
Përmes një komunikate për media, thuhet se Kurti e falënderoi sekretariatin për bashkëpunimin dhe kontributin e deritanishëm.
Ai theksoi se nuk mund të ketë zhvillim e progres në rajon pa tri elemente të rëndësishme: infrastrukturën, lidhshmërinë dhe investimet. Po ashtu, kryeministri ritheksoi rëndësinë e tregut të përbashkët rajonal.
Në takim u diskutua mbi aktivitetet e Sekretariatit të Komunitetit të Transportit në Kosovë e vendet e rajonit dhe nevojën për përmirësimin dhe modernizimin e rrjetit të transportit. U bisedua edhe për mundësinë e mbajtjes së takimit të Këshillit Ministror të Transportit me ministrat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe rajonit në të ardhmen e afërt.
Zakonjsek foli për rolin që ka Sekretariati për integrimin e tregjeve të transportit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ndërmjet tyre, si dhe me shtetet e Bashkimit Evropian.
Sekretariati i Komunitetit të Transportit është themeluar përmes traktatit të nënshkruar më 9 tetor 2017. Në të bëjnë pjesë 33 shtete, të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian dhe 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor.