Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen ditë më parë ka emëruar ekipin e ri të lartë të Komisionit, ndërsa shumë shpejt pas kompletimit të ekipit sot do të mbajë një drekë pune me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë drekë pune i pranishëm do të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kjo u bë e ditur nga zëdhënësja e KE-së Ana Pisonero, e cila ka deklaruar se takimi në fjalë është për Planin e Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor.
Të pranishëm aty do të jenë edhe liderët e tjerë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
“Për të deklaruar në thelb gjendjen e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit tonë në kuadër të Planit të Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Komisioni është duke finalizuar vlerësimin e tij në lidhje me agjendat e paraqitura nga partnerët perëndimorë”.
“Këto janë agjenda reformash që mbulojnë si reformat në aspektet socio-ekonomike, ashtu edhe në fushat themelore. Dhe sapo të finalizojmë këtë vlerësim, padyshim që do të konsultohemi me shtetet anëtare në komitetin e ardhshëm të IPA-së, në rast të një vendimi pozitiv nga komiteti IPA, atëherë komisioni do të miratojë agjendat”, ka thënë Pisonero.