Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot do të udhëtoj për në Sarajevë.
Nesër ai do të marrë pjesë në një konferencë të organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.
Kështu e ka konfirmuar për Radio Evropën e Lirë, udhëheqësi i kësaj organizate, Adil Kullenoviq, i cili shtoi se kryeministri kosovar do të mbajë një fjalim në këtë konferencë, transmeton Gazeta Enigma
“Në këtë sesion do të diskutohet për marrëdhëniet rajonale”, tha Kullenoviq.
E për këtë çështje është deklaruar edhe presidenti i Republika Sërpskas, Millorad Dodik.
Ai tha se gjërat në Bosnje dhe Hercegovinë do të komplikohen ndjeshëm “nëse kryeministri i Kosovës Albin Kurti vjen në Sarajevë” dhe përsëriti se faktori serb në Bosnje dhe Hercegovinë nuk e lejon dhe nuk do ta lejojë njohjen e Kosovës.
“BeH nuk e ka njohur Kosovën. Nuk do të lejojmë që shqiptarët nga ajo zonë të hyjnë me letërnjoftim sepse kjo do të nënkuptonte njëfarë njohje të të ashtuquajturës Kosovë. Në këtë drejtim, kemi lajme se Kurti po arrin në Sarajevë. Dhe kur ne ndërhymë dhe thamë se do të ishte kapaku i problemeve serioze mes nesh në Bosnje-Hercegovinë, atëherë menduan ta ftojnë në një seancë me një organizatë joqeveritare. Prandaj, ata janë këmbëngulës që ta sjellin në Sarajevë dhe të provokojnë, e pastaj të na thonë se Serbia po bën diçka të gabuar, edhe pse respekton integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha Dodiku.
Ai theksoi se Serbia respekton integritetin territorial të BeH, por është e qartë se Sarajeva nuk e respekton integritetin e Serbisë.
Shoqata “Krug 99” u ka dërguar ftesë personaliteteve dhe palëve të interesuara që të vijnë në seancën e zgjeruar të kësaj organizate joqeveritare, ku fjalën e hapjes do ta mbajë Albin Kurti, të cilin e quajtën “Shkëlqesia e tij – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Kosovë”.
Kryetari i “Krug 99”, Adil Kulenoviq, në ftesë për këtë manifestim, falënderoi veçanërisht mbështetjen e Komunitetit të Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë për mbajtjen e takimit, i cili do të mbahet më 6 dhjetor në sallën e madhe të Bashkisë në Sarajevë. /Gazeta Enigma