Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve lidhur me të kaluarën e Radoica Radomiroviq, i cili u emërua së fundi si zëvendësministër në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.
Në një prononcim për media para Klinikës së Onkologjisë, Kurti ka thënë se për çështjet politike është i gatshëm të paraqitet në Qeveri.
Ai nuk ka pranuar të flasë as për Dragisha Millenkoviq, i cili u arrestua më 21 qershor në fshatin Kishnicë, e për të cilin avokati i tij tha se ishte shoqëruar me Kurtin dhe i kishte dërguar libra në burg.
“Unë thashë, Arben Vitia. Nuk mundeni kështu. Jemi para Institutit të Onkologjisë. Për çështje të tjera, për tema të ndryshme janë konferencat në Qeveri e me ministrat e tjerë. Tash e ka fjalën Arben Vitia”, tha Kurti.
E menjëherë pas Vitisë, Kurti ia dha fjalën Drejtorit të Onkologjisë, Ilir Kurtishit, pavarësisht insistimit të gazetarëve për të marrë një përgjigje.
“Këtu jemi para Institutit të Onkologjisë dhe nuk besoj që pyetjet e juaja janë çështje onkologjike. Pra me ministrat e tjerë, në një konferencë tjetër në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Përparimi, Kryeziu, zëdhënësi,, është i gatshëm për juve dhe unë. Por jo këtu.”, tha Kurti ndër të tjera.
Radoica Radomiroviq, i cili më 25 maj të këtij viti ishte emëruar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti si Zëvendës Ministër për Komunitete dhe Kthim, ka pranuar se ka qenë pjesë e luftës së Kosovës, por thotë se nuk ka marrë pjesë në operacione luftarake.
Për këtë çështje janë deklaruar edhe nga Qeveria. Ata kanë thënë se ai nuk ka qenë i përfshirë në operacione ushtarake apo të ngjashme gjatë luftës në Kosovë
“Institucionet tona kanë verifikuar të gjitha të dhënat duke konfirmuar që ai nuk ka qenë i përfshirë në operacione ushtarake apo të ngjashme gjatë luftës në Kosovë. Ai ka bartur pozitën e kontabilistit në administratë si staf civil”, kishin deklaruar nga Qeveria.