Rritja e mirëqenies dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve nëpërmjet infrastrukturës së qëndrueshme komunale dhe mjedisit të pastër dhe të shëndetshëm ishin tema të takimit ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Koordinatores së OKB -së për Zhvillim në Kosovë, Ulrika Richardson dhe Shefit të zyrës së UN-Habitat-it në Kosovë, Omar Siddique, si dhe përfaqësuesve të tjerë të kësaj agjencie.
Në takimin e përbashkët me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, u bisedua për Planet e Zhvillimit Komunal dhe proceset e planifikimit hapësinor në komunat e Kosovës.
Kryeministri Kurti theksoi se banimi social dhe banimi i përballueshëm janë zotim në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025.
Ai vlerësoi faktin që UN-Habitat po punon së bashku me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në hartimin e Studimit të Fizibilitetit për Programin e Banimit Social në Kosovë, rekomandimet nga i cili do të lehtësojnë investimet e ardhshme në këtë sektor.
Gjatë takimit u vlerësua ndihma e vazhdueshme e UN-Habitat dhënë për institucionet tona gjatë viteve si dhe u bisedua për bashkëveprim dhe koordinimin programor të mëtejmë.