Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar për takimet që ka zhvilluar gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ai u shpreh se ato takime i dhanë shpresë për të ardhmen e Kosovës.
“Për planin tonë të reformave të shumëfishta dhe orientimin evropian dhe euro-atlantik do të kemi mbështetje serioze“, shkroi Kurti në Facebook.
Njoftimi i Kryeministrit Kurti
I shoqëruar nga zëvendësit e mi z. Besnik Bislimi dhe znj. Donika Gërvalla, vizitën dje në Bruksel e filluam me takimin me Kryeministrin e Belgjikës, z. Alexander De Croo etj, ndërsa sot ditën e filluam me z. Jens Stoltenberg – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, për të vazhduar mandej me z. Josep Borrell – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, z. Olivér Várhelyi – Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim si dhe znj. Ursula von der Leyen – Presidente e Komisionit Evropian, kurse ditën si dhe vizitën në Bruksel e përmbyllim me Komitetin e Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme (AFET).
“Ishin këto takime përmbajtësore të një mikpritje të ngrohtë që më jep shpresë për të ardhmen e Kosovës. Për planin tonë të reformave të shumëfishta dhe orientimin evropian dhe euro-atlantik do të kemi mbështetje serioze.”