Kurti takon mbasadorët e QUINT-it: Kosova e gatshme të diskutojë planin për zbatimin e propozimit evropian

Kurti takon mbasadorët e QUINT-it: Kosova e gatshme të diskutojë planin për zbatimin e propozimit evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, kanë pritur të premten në takim ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Zyra e Kryeministrit njofton se në këtë takim Kurti i ka njoftuar ambasadorët për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë dhe gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar diskutimet për planin e zbatimit në kuadër të propozimit të Bashkimit Evropian.

Po ashtu, bëhet e ditur se Kurti me ambasadorët kanë diskutuar edhe mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorët dhe shtetet e QUINT-it për mbështetjen e tyre për këtë aplikim të rëndësishëm. Republika e Kosovës ndanë të njëjtat vlera dhe parime me Këshillin e Evropës, dhe këto janë të mishëruara edhe në Kushtetutën tonë, nëpërmjet inkorporimit të konventave të rëndësishme të Këshillit të Evropës”, thuhet në komunikatën për media.

“Ai theksoi se përparimet e dukshme të Republikës së Kosovës në indekset ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut, të demokracisë dhe të sundimit të ligjit, janë disa nga dëshmitë që tregojnë se Republika e Kosovës duhet të jetë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës dhe procesi i filluar i anëtarësimit duhet të vazhdojë pa vonesë”.

Ndërsa, zëvendësministri Ahmeti i ka njoftuar ambasadorët me zhvillimet e deritanishme në procesin e anëtarësimit dhe i ka falënderuar ata për mbështetjen në krijimin e momentumit për kalimin e fazës së parë të procesit.

“Opinioni ligjor mbi aplikimin e Republikës së Kosovës, i dhënë nga Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës, ka vulosur një herë e përgjithmonë të drejtën e Republikës së Kosovës për të qenë anëtare e plotë në këtë organizatë. Lobimi intensiv dhe i koordinuar me partnerët, ka siguruar mbështetjen e nevojshme për procedimin e mëtutjeshëm të aplikimit të Republikës së Kosovës, drejt anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës”, përfundon njoftimi. ​/

Related Articles