Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar në Twitter se ka takuar gazetarët e lënduar nga raportimet në veri, duke shprehur mbështetjen e tij për punën e tyre.
Ai shfaqi emocion dhe frymëzim mes rreshtave për punën e gazetarëve duke theksuar se është detyrë e institucioneve të mbështesin një “raportim të tillë” dhe “t’i mbrojnë gazetarët nga sulmet e tmerrshme.”
I pari i qeverisë ka shkruar se ka takuar disa gazetarë, derisa në fotografinë e publikuar në Twitter shihet se janë vetëm tre, nga nëntë gazetarë që ishin lënduar në Leposaviq.
“U takova me disa nga gazetarët e lënduar gjatë raportimit për ngjarjet në veri të sotëm. Jam gjithmonë i emocionuar dhe i frymëzuar nga puna që bën shtypi i lirë dhe i drejtë. Është detyrë e të gjitha institucioneve të tjera të mbështesin një raportim të tillë dhe t’i mbrojnë ata nga sulmet e tmerrshme”, shkroi Kurti në Twitter.
I met with some of the journalists injured while reporting on the events in the north today. I am always moved and inspired by the work that a free and fair press does. It is the job of all other institutions to support such reporting and protect them from horrendous attacks. pic.twitter.com/AMikQiCLor— Albin Kurti (@albinkurti) June 18, 2023
Nëntë gazetarë janë sulmuar dhe disa prej tyre kanë kërkuar ndihmë mjekësore sot gjatë raportimit në Komunën e Leposaviqit, pasi që janë sulmuar fizikisht nga disa njerëz me maska.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës ditë më parë përmes një komunikate për media, ku ka njoftuar se gazetarëve i janë dëmtuar edhe pajisjet e ndryshe të xhirimeve.
“Bazuar në informacionet e deritanishme bëhet fjalë për nëntë gazetarë të sulmuar të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke përcjellë zhvillimet pranë komunës së Leposaviqit, ku disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Përveç sulmeve fizike dhe dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve, atyre iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit iu është grabitur një telefon celular.” – thuhet në njoftimin e PK-së.