Kurti thotë se e ka pranuar Asociacioni “si paketë”

Kurti thotë se e ka pranuar Asociacioni “si paketë”

Kryeministri Albin Kurti e ka pohuar pranimin për zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por vetëm si “paketë”.

Në një intervistë për televizionin ndërkombëtar Al Jazeera, Kurti ka thënë se nuk është “kryeministër vetëm i shqiptarëve”, por i të gjithë komuniteteve etnike që jetojnë në Kosovë.

I pyetur nëse i ka thënë “po” apo “jo” Asociacionit…, shefi i Qeverisë së Kosovës tha se e ka pranuar themelimin e tij, por në paketën e Marrëveshjes së Ohrit.

“Natyrisht, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është diçka që e kam trashëguar nga paraardhësit e mi. Sidoqoftë, kjo është pjesë e Marrëveshjes Bazike tani. Neni 7 thotë se ‘Komuniteti serb duhet të ketë vetëmenaxhim’. Në anën tjetër, neni 10 thotë se “të gjitha marrëveshjet paraprake të nënshkruara duhet të zbatohen”. Pra, unë nuk po e mohoj atë, sidoqoftë vetëm si pjesë e një pakoje të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës me njohje reciproke.”

“Nuk mund të zgjedhni nga 39 marrëveshjet paraprake, një që është e preferuara juaj, thuajse sikur të ishte një byfe suedeze, ku e zgjedhni ushqimin tuaj të preferuar, as ta vendosni para Marrëveshjes Bazike. Si paketë, unë thashë po”, tha ai.

Marrëveshja bazë, e cila përfshin edhe obligimin për themelimin e këtij asociacioni, është arritur në shkurt të vitit të kaluar, por nuk ka gjetur zbatim.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Related Articles