Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në shoqëri të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zv/ministres Daulina Osmani kanë qëndruar sot për vizitë në kampin e Kombëtares së Kosovës në hotel “Emerald”.
Presidenti Agim Ademi duke e falënderuar të parin e ekzekutivit për vizitën ka shprehur mirënjohjen e tij në emër të FFK-së për mbështetjen që institucionet shtetërore po i japin ekipit kombëtar dhe në përgjithësi futbollit të Kosovës.
“Kryeministri është motivues i madh dhe është njeri i aksionit, prandaj e kemi parë të arsyeshme që ai si kreu i qeverisë të vjen sot për vizitë dhe të japë mesazhin e tij frymëzues për të ecur përpara së bashku”, ka thënë presidenti Ademi.
Ndërkaq, kryeministri i Republikës ka falënderuar futbollistët dardanë dhe stafin e kombëtares në përgjithësi për punën e mirë dhe për emocionet e papërshkrueshme që i japin popullit të Kosovës.
“Ju vazhdimisht në ndeshjet e kaluara na keni sjell emocione por ethe. Janë emocione të paharrueshme dhe gëzime të cilat na mbajnë optimistë për të ardhmen. Ju dëshiroj shumë sukses në dy ndeshjet në vijim. E di se me Zvicrën e keni më vështirë edhe për arsye objektive. por besoj se me mbështetjen e ministrisë, me trajnerët që keni dhe me punën ekipore e ushtrimet që do të bëni në këto ditë do të keni mjaftueshëm energji që edhe në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ më 9 shtator por edhe më 12 shtator kundër Rumanisë të jepni maksimumin dhe të merrni rezultatin që të gjithë e presin me aq dëshirë. Faleminderit gjithsecilit për gjithë këtë kontribut, i cili nuk është vetëm sportiv por është edhe popullor sepse jo vetëm njerëzit që përcjellin sportin ju ndjekin. Juve ju ndjekin krejt njerëzit që e duan Kosovën”, ka theksuar para futbollistëve kryeministri Kurti.
Në emër të ekipit kombëtar kryeministrin me bashkëpunëtorët e tij i ka falënderuar kapiteni Amir Rrahmani.
“Faleminderit për përkrahjen ndaj ekipit kombëtar dhe ndaj federatës. Shpresoj që edhe në të ardhmen kontributi dhe ndihma e institucioneve për rritjen e futbollit nuk do të mungojë”, ka thënë kapiteni i Dardanëve.