Tensione, rrahje e mosmarrëveshje – Si ishte puna e Kuvendit për sesionin që lamë pas?

Tensione, rrahje e mosmarrëveshje – Si ishte puna e Kuvendit për sesionin që lamë pas?

Kuvendi i Kosovës arriti t’i përmbushi vetëm 13% të planit legjislativ të vitit 2023, ajo që e karakterizoi kuvendin gjatë sesionit parlamentar që lam pas ishte kryesisht mungesa e kuorumit, përdorimi i shpeshtë i gjuhës vulgare me njëri – tjetrin, e deri tek përplasjet fizike, shkruan Gazeta Enigma.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në raportin analitik “Ligjvënia mes shumë sfidave“, që analizon zhvillimet gjatë sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës gjatë këtij viti, ndër të tjera, thekson faktin se ky sesion është veçuar nga mungesa e kuorumit, përdorimi i shpeshtë i gjuhës jo parlamentare, e deri tek tensionet që eskaluan në përplasje fizike mes deputetëve e ministrave, me përmasa të tilla të papara ndonjë herë në Kuvend.

Gjatë këtij sesioni, Kuvendi zhvilloi 49 seanca në tërësi. Afërsisht gjysma e tyre ishin seanca plenare, ndërsa ngecja në trajtimin e agjendës parlamentare në vitin paraprak dhe aktual, së bashku me keqplanifikimin, shkaktoi nevojën për të zhvilluar një numër të madh të vazhdimeve të seancave. Përveç këtyre, u mbajtën edhe tetë seanca të jashtëzakonshme dhe dy seanca të karakterit solemn, thuhet në raportin e KDI-së.

Kuvendi, gjatë kësaj periudhe miratoi gjithsej 44 projektligje, 11 prej të cilave ishin marrëveshje ndërkombëtare. 

Nga këto, 17 projektligje ishin pjesë e planit legjislativ të Qeverisë për vitin 2023, ndërsa pjesa më e madhe e projektligjeve të miratuara, 27 projektligje, ishin të planit legjislativ të viteve paraprake 2022 dhe 2021. 

Kështu, Kuvendi përmbushi vetëm 13% të planit legjislativ 2023, sipas raportit të KDI-së.

Sipas Arbër Thaçit, hulumtues në KDI, mungesa e kuorumit ka ndikuar negativisht në këtë sesion, megjithatë numri i mjaftueshëm i deputetëve për të zhvilluar punimet e Kuvendit ka ekzistuar gjatë gjithë kohës, siç evidentohet në listat zyrtare. 

Sipas tij, kjo dëshmon se deputetët kanë qenë të kujdesshëm për t’u regjistruar për të marrë mëditjet, por kanë treguar papërgjegjshmëri në pjesëmarrje të rregulltë në punimet e Kuvendit.

Në anën tjetër, hulumtuesja Violeta Haxholli, prezantoi të dhënat lidhur me funksionin mbikëqyrës të Kuvendit. Sipas saj, në këtë sesion, deputetët parashtruan gjithsej 171 pyetje parlamentare. Megjithatë, numri i pyetjeve nuk ishte i kënaqshëm, duke pasur një mesatare të ulët për secilin deputet ndërsa, 82 deputetë nuk parashtruan asnjë pyetje parlamentare.

Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin e saj lidhur me mungesën e transparencës së Kuvendit ndaj publikut, përfshirë mungesën e votimit elektronik, mos publikimin e votave me dorë, dhe mos publikimin e rregulltë të procesverbaleve të mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe atyre Ad-Hoc.

Deputetët e Kuvendit nga radhët e opozitës me kritika ndaj qeverisë e pozitës

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, në një prononcim për Gazetën Enigma, duke komentuar punën e Kuvendit të Kosovës, e ka ndarë sesionin parlamentar në dy pasqyra, ku ka komentuar punën e qeverisë dhe të opozitës.

Sipas Shalës, pasqyra e parë, pjesa e prezantimit të ideve, debateve dhe ligjeve të prezentuara nga VV, “mazhoranca që u pasqyrua me përqindje të dobët të realizimit të planit legjislativ” siç iu referua Shala, konsiderohet më e dobëta në dhjet vitet e fundit.

“Me ligje që i rrëzoi Gjykata Kushtetuese, me debate për të kaluarën, me sulme vullgare të qeverisë ndaj opozitës, pa ide ekonomike e zhvillimore -prespektive. Me shkelje të kushtetutës si kurrë më parë. Pra dështim i madh i mazhorancës”, komentoi Shala.

Ndërsa në pasqyrën e dytë, Shala përshkroi punën e opozitës, që e cilësoi si opozitarizëm aktiv dhe të kujdesshëm.

“Me dy komisione hetimore parlamentare për energjinë duke nxjerr në sipërfaqe keqmenaxhimin dhe korrupsionin në sektorin energjetik dhe jo vetëm….Debat konkret e faktografik parlamentar (psh; rasti i Ministrisë së Tregtisë Industrisë….rezervat shtetërore etj), rrëzimi i ligjeve jo kushtetuse përmes ankimimeve në gjykatë, pyetje parlamentare dhe shumë debate të tjera…Pra opozita ka përmbushë pjesën e vet suksesshëm”, shtoi Shala.

Deputeti nga radhët e PDK-së, ka komentuar edhe gjuhën parlamentare, duke theksuar se gjuha parlamentare lë shumë për të dëshiruar, “kjo gjuhë rruge e sjellur në Kuvend nga VV-ja. Fatkeqësisht me tendencë denigrimi të skejshëm”, ka komentuar Shala.

Ndërsa, Pal Lekaj nga AAK, ka thënë për Gazetën Enigma, se në sesionin që lam pas ka mbizotëruar arroganca dhe mos bashkëpunimi i shumicës parlamentare me opozitën.

“Sesioni që e lam pas ishte një sesion jo i kënaqshëm, pasi në Kuvend ka mbizotëruar arroganca dhe mos bashkëpunimi i shumicës parlamentare me opozitën. Iniciativat e rëndësishme të ndërmarra nga ne si opozitë, Ligjet më të mira, si dhe idetë që kanë mundur të bëhen realitet, nuk janë zhvilluar pasi nuk u përkrahën nga deputetët e Qeverisë Kurti”, ka thënë Lekaj.

Sipas tij, kjo ka ndikuar negativisht tek qytetarët e Kosovës për marrjen e shërbimeve dhe të mirave publike.

“Edhe ato ligje që kanë kaluar nga Kuvendi, kaluan në procuderë të shpejtë vetëm sa për të përmbushur agjendën legjistlative, por fatkeqësisht janë bërë pa konsultim publik me qytetarët, shoqërinë civile, ekspertët dhe opozitën”, shtoi tutje Lekaj.

Duke komentuar gjuhën parlamentare, Lekaj ka cilësuar se si opozitë kanë qenë bashkëpunues, ndërsa ka kërkuar të ndryshohet sjellja dhe gjuha e pozitës.

“Në përgjithësi ka qenë një sesion i qetë në kuptim të përballjeve në Kuvend. Ne si opozitë kemi qenë bashkëpunues, kemi pasur një kulturë politike të punës si në Komisione e po ashtu edhe në Seanca Parlamentare. Ndërsa, Pozita nuk e ka pasur të njëjtin qëndrim me neve. Sjellja e pushtetit dhe gjuha e tyre lë shumë për të dëshiruar dhe është mirë të ndryshohet kjo qasje e cila nuk i bënë mirë askujt”, ka theksuar Lekaj.

“Kuvendi është vend ku duhet një unifikim pozitë-opozitë, duhet punë dhe angazhim sidomos për idetë, temat dhe projektligjet me interesë të përgjithshëm për qytetarin dhe shtetin”, ka shtuar tutje ai.

Ndërsa analisti Gazmir Raci, për Gazetën Enigma, ka thënë se deputetët do duhej të ishin zëri i problemeve të përditshme të të gjithë qytetarëve, marrë parasysh faktin se si shoqëri kemi probleme të shumta.

“Edhe në këtë legjislaturë kemi deputet që aty janë vetëm numra e jo cilësi, fatkeqësisht. Deputetët do duhej të ishin zëri i problemeve të përditshme të të gjithë qytetarëve të vendit sepse kemi shumë halle si shoqëri. Problemet në shëndetësi, arsim, rend e ligj do duhej të ishin preukopim kryesor i kësaj legjislature. Nuk mjafton vetëm nxjerrja e ligjeve por deputeti ka rol edhe në monitorimin e zbatimit të këtyre ligjeve, andaj, kërkohet përgjegjësi edhe më e madhe e komisioneve parlamentare për kontroll më të shtuar jo vetëm ndaj qeverisë por edhe të gjetjes së alternativave për të adresuar sfidat e kësaj popullsije”, ka thënë Raci për Enigmën.

Kujtojmë se më 13 korrik të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës shpërtheu përleshja fizike mes opozitës dhe kabinetit qeveritar, ku pati reagime të shumta duke marrë vëmendjen edhe nga ndërkombëtarët. /Gazeta Enigma

Related Articles