Kryeministri i vendit, Albin Kurti, të shtunën në ditëlindjen e shkrimtarit shqiptar Sami Frashërit, ka vendosur lule pranë varrit të tij, në Stamboll.
“Dje, në ditëlindjen e Samiut, vizituam varrin e tij në Stamboll dhe vendosëm lule të freskëta, për ta kujtuar e nderuar atë. Para kësaj, në Ankara qëndruam në Qendrën Kulturore Shqiptare atje e cila përveçse mban emrin e tij, e nderon çdo ditë trashëgiminë e tij duke qenë vend që i bën bashkë shqiptarët e ku flitet e mësohet gjuha shqipe, ashtu siç na mësonte Samiu gjuhën përmes kombit, e kombin përmes gjuhës”, shkroi shefi i qeverisë kosovare në Facebook.
Kurti tha se Frashëri la gjurmë të pashlyeshme, e që ende sot preken e përjetohen.
“Një mërgimtar i arrirë, që s’e harroi kurrë vendin e tij. Shembull për kombin, shembull për mërgatën dhe frymëzim për çdokënd”.
Kryeministri tha se nuk ka fjalë e epitete të mjaftueshme për të përshkruar figurën e tashmë të ndjerit.
“Ideolog i shquar dhe dijetar i ndritur. Atdhetar, rilindas e mendimtar përparimtar. Nuk mund të përshkruhet mjaftueshëm me fjalë e të ketë aq epitete për ta bërë sa më të kuptueshme figurën e tij”.