Pas rizgjedhjes, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka takuar sot pasdite strukturat e reja të dala nga zgjedhjet e brendshme në këtë subjekt politik.
Kurti u shpreh se sfidat dhe nevojat e qytetarëve duhet të jenë edhe detyrat për programin e Vetëvendosjes, për progresin e gjithmbarshëm shoqëror, shtetëror e kombëtar, teksa shtoi se VV-ja nuk pretendon t’i mbivendoset popullit.
“Ne nuk pretendojmë të jemi një lloj super strukture që i mbi vendosemi popullit, sepse askush asnjëherë nuk bën t’i mbi vendoset popullit, por ne ofrojmë strukturat tona, edhe ato të reja tani në të gjitha qendrat si infrastrukturë për qytetarët e Republikës për ndryshimet që ata i duan dhe atyre ju duhen”, theksoi Kurti, shkruan KP.
Kryetari i rizgjedhur i VV-së tha se si parti në pushtet asnjëherë nuk do të qeverisin kundër qytetarëve.
“Ne qeverisim bashkë me qytetarët, asnjëherë kundër tyre dhe jemi organizatë për sa më shumë tubime publike e shoqërore për temat që jo vetëm që ne i kemi në program, por edhe për problemet të cilat i preokupojnë qytetarin tonë kudo që ai është. Me ç’rast ato i inkorporojmë në programet tona politike lokale e qendrore dhe në të njëjtën kohë testojmë tezat tona në funksion edhe të rritjes e zhvillimit ekonomik, por edhe të drejtësisë në shoqëri dhe të mirëqenies për të gjithë”, wshtw shprehur Kurti.
Në këtë takim kryeministri Kurti ka thënë se si kryetar i rizgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje ofron bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe të shtuar me anëtarësinë dhe Qendrat e Vetëvendosjes nëpër komuna.
Të dielën, në 43 Qendra të Lëvizjes u mbajt procesi zgjedhor për kryetar të LVV-së, kryetare të Gruas në VV-së dhe kryetar të Rinisë në VV-së.