Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se vitin e ardhsshëm pritet të nënshkruhet marrëveshja për bashkëpunim ekonomik me vendet e EFTA-s, raporton gazeta “Enigma”.
Kurti përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka njoftuar se kanë bërë një arritje të rëndësishme në avancimin e bashkëpunimit ekonomik me vendet Norvegjinë, Zvicrën, Lihtenshtajnin, dhe Islandën.
Tutje ai ka njoftuar se pas katër raundesh negociatash që filluan në qershor 2022, është arritur një marrëveshje për Tregtinë e Lirë, e cila do të nënshkruhet në fillim të vitit të ardhshëm.
Për më tepër, Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka negociuar edhe për tregtinë e shërbimeve, duke zgjeruar potencialin për zhvillim ekonomik.
Marrëveshja pritet të forcojë lidhjet tregtare dhe ekonomike ndërmjet Kosovës dhe EFTA-s, duke kontribuar në rritjen e stabilitetit dhe prosperitetit në vend. Ky është një hap përpara në forcimin e pozicionit të Kosovës në tregjet ndërkombëtare.
Shkrimi i plotë:
Në mars të vitit 2022, gjatë vizitës në Norvegji dhe takimit me ministrin norvegjez të Tregtisë dhe Industrisë, Jan Christian Vestre, patëm paraqitur kërkesën tonë për të avancuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me vendet anëtare të EFTA-s, nga Deklarata e Përbashkët në Marrëveshje Tregtare.
Dy vjet e gjysmë më vonë, e pas katër raunde të negociatave të lansuara në qershor të vitit 2022, kemi Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me shtetet anëtare të EFTA-s, anëtare e së cilës është Norvegjia, së bashku me Zvicrën, Lihtenshtajnin dhe Islandën. Nënshkrimi i Marrëveshjes pritet të bëhet në fillim të vitit të ardhshëm.
Përfaqësimi i Republikës së Kosovës në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me vendet anëtare të EFTA-së, gëzon trajtim të barabartë. Jemi i vetmi vend në rajon që përveç negocimit për tregti të mallrave, ka negociuar edhe për tregti të shërbimeve me EFTA-n.
Kjo marrëveshje do të krijojë mundësi të reja për prodhuesit dhe kompanitë tona vendore dhe do të forcojë partneritetin ekonomik dhe tregtar ndërmjet Republikës sonë dhe shteteve anëtare të EFTA-s. /Gazeta Enigma/.