Kurti viziton QKUK-në, njoftohet për projektet e reja të ndërtimit dhe renovimit të disa klinikave

Kurti viziton QKUK-në, njoftohet për projektet e reja të ndërtimit dhe renovimit të disa klinikave

Sot, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia vizituan Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK) me ç’rast takuan Drejtorin e këtij institucioni, Elvir Azizi dhe Drejtorin e Shërbimeve të Përbashkëta Teknike dhe Administrative, Mentor Zejnullahu.

Kryeministri Albin Kurti tha se gjatë kësaj periudhe janë evidente rezultatet dhe kontributi i shtuar, dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë në përkrahje të plotë me qëllim të përmbushjes së objektivave në të ardhmen.

“Në këtë takim, krahas hartimit të statutit të ri të ShSKUK-së dhe QKUK-së që do të avancojë edhe më tej shërbimet shëndetësore, kryeministri Kurti u njoftua rreth punës në drejtim të përmirësimeve të shërbimeve shëndetësore për qytetarët, projekteve të reja të cilat planifikohen të realizohen, sa i përket ndërtimit dhe renovimit të disa klinikave brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) si dhe investimeve në spitalet e përgjithshme regjionale me qëllim të rritjes së përformancës”, thuhet në komunikatën e Zyres së Kryeministrit.

Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi foli për ecurinë e realizimit të planit të Qeverisë në fushën e shëndetësisë dhe për transformimin infrastrukturor të disa klinikave që sipas tij, do të rrisin gamën e shërbimeve dhe do të përmirësojnë kushtet për qytetarët.

Ai paraqiti një analizë të përgjithshme të gjendjes infrastrukturore, resurseve njerëzore dhe pajisjeve mjekësore në klinikat QKUK-së dhe në spitalet e përgjithshme.

“Aty u diskutua edhe për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar me ekspertë të jashtëm, sidomos në degët deficitare me qëllim të përfitimit nga përvoja e shteteve me sistem të avancuar shëndetësor. Temë e posaçme ishte edhe ngritja e trupave profesionale, konsiliumet mjekësore në klinika, si dhe të mekanizmave monitorues me qëllim të mbarëvajtjes së proceseve dhe respektimit të orarit të punës”, thuhet tutje në komunikatë.

Related Articles