Kurti viziton Shërbimin Korrektues të Kosovës, diskuton për aftësimin profesional për të dënuarit

Kurti viziton Shërbimin Korrektues të Kosovës, diskuton për aftësimin profesional për të dënuarit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës ka vizituar objektin qendror të Shërbimit Korrektues të Kosovës në Prishtinë.

Gjatë qëndrimit të tij atje, u diskututa për punën dhe sfidat e shërbimit korrektues, teksa në 11 burgjet e Kosovës ndodhen gjithsej 1734 të burgosur, prej tyre 1120 të dënuar.

Gjithashtu u theksua miratimi i ligjit për SHKK-në me të cilin janë themeluar njësi të reja, si ato për Vlerësimin dhe Klasifikimin e të Burgosurve, për inteligjencë, njësia Ekonomike dhe themelimi i Institucionit për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta, si dhe miratimi i planit zhvillimor strategjik për SHKK-në 2023-2027, përmes të cilit synohet përmbushja e vizionit të agjencisë.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se u fol edhe për programet rehabilituese dhe aftësimin profesional për të dënuarit si dhe mundësitë e bashkëpunimit me organizata të ndryshme.

Me qëllim përmirësimin e infrastrukturës, me përkrahjen e Qeverisë është ndarë buxheti prej 8 milionë euro për ndërtimin e Qendrave të reja Korrektuese, e ato janë: Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan; Qendra e Paraburgimit në rajonin e Prizrenit me kapacitet prej 300 shtretër; dhe zgjerimi i Institutit të Psikiatrisë Forenzike.

Në këtë vizitë Kurti shoqërohej nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. /Gazeta Enigma

Related Articles