“Marrëveshje më e mirë”: Çfarë fshihet pas refuzimit të Trumpit ndaj ofertës së Iranit për armëpushim?

“Marrëveshje më e mirë”: Çfarë fshihet pas refuzimit të Trumpit ndaj ofertës së Iranit për armëpushim?

Donald Trumpi e ka refuzuar propozimin e fundit të Iranit për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit; sipas ekspertëve, presidenti amerikan beson se Uashingtoni ka më shumë për të fituar duke pritur sesa duke pranuar kushtet e Teheranit në këtë moment.

“Unë e refuzoj propozimin e tyre”, u tha Trumpi gazetarëve të shtunën, duke argumentuar se Irani kërkon një marrëveshje sepse po “humbet keqazi”, transmeton Telegrafi.

“Ata duan të bëjnë një marrëveshje dhe mendoj se kjo është në rregull. Edhe unë do të doja të bëja një marrëveshje. Por ajo marrëveshje nuk do të ishte e pranueshme”, tha Trumpi.

Të dielën, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se Teherani e kishte parë reagimin fillestar të Trumpit ndaj propozimit të tij, por ende nuk kishte marrë një përgjigje përmes ndërmjetësve.

Në përpjekjet e fundit diplomatike, Katari ka luajtur një rol ndërmjetësues në bisedimet midis Iranit dhe SHBA-së, në margjinat e takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Propozimi shtatëditor i Iranit përfshinte heqjen e bllokadës detare të Uashingtonit ndaj porteve iraniane, heqjen e sanksioneve për shitjen e naftës iraniane, zhbllokimin e aseteve iraniane të ngrira (të vlerësuara në 12 miliardë dollarë) dhe respektimin e një armëpushimi më të gjerë rajonal, përfshirë Libanin dhe Jemenin.

Më pas, Irani do të rihapte Ngushticën e Hormuzit dhe do të fillonte negociatat me Uashingtonin për një marrëveshje përfundimtare.

Propozimet e fundit janë të ngjashme me memorandumin e mirëkuptimit (MoU) të muajit qershor, të nënshkruar nga të dyja vendet.

Megjithatë, memorandumi dështoi muajin e kaluar për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kushtet e marrëveshjes, gjë që çoi në përshkallëzim të sulmeve, veçanërisht brenda dhe përreth Ngushticës së Hormuzit, e cila në thelb mbetet nën bllokadën iraniane.

Sipas ekspertëve, refuzimi i Trumpit sugjeron se, ndonëse të dyja palët vazhdojnë ta mbajnë publikisht derën hapur për diplomacinë, ato mbeten ende larg njëra-tjetrës sa i përket çështjes se kush duhet t’i bëjë lëshimet e para.

“Llogaritja e Trump-it duket mjaft e qartë. Ai beson se kombinimi i bllokadës detare dhe izolimit ekonomik po e shtrëngon Iranin aq fort, saqë propozimi i fundit i Teheranit është dëshmi dobësie dhe jo një ofertë që Uashingtoni duhet ta shfrytëzojë”, tha për Al Jazeera, Andreas Krieg, profesor i asociuar në King’s College London.

Argumenti i tij publik se Irani po “humbet rëndë” është i rëndësishëm, sepse sugjeron se ai mendon që koha po e përmirëson pozicionin negociues të SHBA-së, tha Krieg.

Pse mendon Trump-i se mund të presë?

Një pjesë kyçe e llogaritjes së Trump-it duket se është besimi se presioni ekonomik ndaj Iranit nuk e ka arritur ende kulmin apo përfundimin e tij.

Administrata Trump e ka intensifikuar presionin ekonomik ndaj Teheranit, duke shtrënguar bllokadën detare, duke vendosur sanksione që synojnë të ardhurat nga nafta iraniane dhe duke kërcënuar me sanksione dytësore vendet që bëjnë biznes me Teheranin.

Javën e kaluar, SHBA-ja vendosi sanksione në sektorin e aviacionit ndaj Iranit, duke ndërprerë fluturimet. Kjo ndodhi disa javë pasi Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, njoftoi një fushatë presioni ekonomik kundër Iranit, duke premtuar se do të synonte interesat financiare të Teheranit në mbarë botën.

Related Articles