Kampioni i Kosovës, Ballkani siguroi mbrëmë kualifikimin në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, pasi eliminoi skuadrën nga Irlanda e Veriut, Larne.
Ballkani duhet të kalojë edhe një fazë për të arritur më pas në “play-off” të Ligës së Konferencës. Në rrethin e tretë kualifikues, Ballkani do të përballet me skuadrën nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps.
Lincoln Red Imps janë nënkampion në Gjibraltar. Skuadra e tyre ka vlerë rreth 2.28 milionë euro, ndërsa mosha mesatare e skuadrës është 28.6 vjeç.
Red Imps ka fituar plotë 27 herë kampionatin në Gjibraltar, 18 herë ka fituar kupën dhe 12 herë Superkupën e Gjibraltarit.
Lincoln Red Imps ishte skuadra e parë që përfaqësoi Gjibraltarin në garat ndërkombëtare, pas vitit 2014 kur edhe ishin pranuar në UEFA.
Në vitin 2021, Lincoln u bë skuadra e parë nga Gjibraltari që arrin fazën e grupeve në një kompeticion evropian. Ata morën pjesë në grupet e Ligës së Konferencës, por u eliminuan më pas.
Ndeshja mes Ballkanit e Lincoln do të zhvillohet më 10 gusht në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.