Është më e zëshmja kundër propozimit për tërheqje të re të mjeteve nga Trusti pensional, por shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, nuk kishte reaguar njëjtë edhe më 2020.
Në deklarimin e fundit të pasurisë, ajo pranon se bashkëshorti i saj ka tërhequr, në janar të vitit 2021, 10 % nga ky fond, përcjell klankosova.tv.
Vlera të cilën Kusari-Lila thotë ta ketë tërhequr burri i saj, rezulton të jetë 4,012.63 euro.
Para nga Trusti ka tërhequr edhe kundërshtarja tjetër e propozimit të ri, deputetja e Vetëvendosjes, Jeta Statovci.
Siç figuron në formularin e pasurisë, ajo ka bërë tërheqje të mjeteve me vlerë 480 euro.
Ngjashëm del të ketë përfituar edhe deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, i cili në deklarimin e pasurisë, pranon se ka tërhequr para nga Trusti pensional, ani se shumën e mjeteve nuk e ka bërë publike.
Po ashtu nga masa prej 10% të Trustit pensional ka përfituar edhe deputetja tjetër e Vetëvendosjes, Shqipe Metaj-Isufi. Ajo pranon se ka përfituar nga fondi pensional me vlerat 1,440.00 euro dhe 2,160.00 euro nga prindërit e saj.
Po ashtu mjete nga 10% të Trustit rezulton të ketë përfituar edhe deputetja tjetër e Vetëvendosjes, Arijeta Rexhepi, madje nga ky ka përfituar edhe bashkëshorti i saj, meqë në deklarimin e pasurisë, figuron se ka pasur tërheqje të mjeteve me këto vlera: 1200 për vete, kurse 1000 euro për bashkëshortin.
Përfitim nga masa prej 10% ka pasur edhe Visar Korenica. Në deklarimin e pasurisë ai pranon se në 2021-shin ka tërhequr mjete me vlerë 1,762.11 euro.
Teksa edhe Adnan Rrustemi ka fituar para të majme nga masa prej 10% e vitit të kaluar. Ai ka tërhequr për vete 2084 euro dhe 844 euro të gruas së tij.
Përveç deputetëve, përfitime nga masa prej 10% e Trustit patën edhe disa ministra të Qeverisë Kurti.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaron se në 2021-shin kanë përfituar nga Trusti ajo dhe bashkëshorti i saj. Kjo meqë figuron se tërheqje janë bërë me vlerat 2,390.00 për të, si dhe 1.054.00 euro për bashkëshortin e saj.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, deklaron po ashtu se ka përfituar nga masa për tërheqje nga Trusti.
918.57 euro ka pranuar se ka tërhequr për vete dhe 530.00 euro për bashkëshorten.
Ministri i Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, është po ashtu në mesin e atyre të Qeverisë Kurti, që ka përfituar para nga masa për tërheqjen e 10% të mjeteve.
Ai pranon se ka tërhequr nga kursimet 2,658.74 euro.
Të dhëna të tilla gjenden te pasqyra e zyrtarëve të lartë, të cilët figurojnë të kenë tërhequr para nga Trusti, vitin e kaluar, e të cilat janë bërë të ditura në AKK gjatë deklarimit vjetor të pasurisë.
Kujtojmë që zyrtarët publikë janë të obliguar të deklarojnë nëse kanë bërë tërheqje nga Trusti pensional.
22, 23 dhe 27 qershor janë datat, në të cilat do të mbahen seancat e radhës të Kuvendit të Kosovës.
Në seancën e së mërkurës do të diskutohet tema e Trustit, që mbeti pa u trajtuar herën e fundit kur u mblodhën deputetët.
Por lëvizja Vetëvendosje, që qeverisë me vendin, ka bërë të ditur se do të votojë kundër.