Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahet më 12 tetor të këtij viti. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë i ka nisur përgatitjet për këtë proces, raporton Gazeta “Enigma”.
KQZ më 26 qershor do të hap afatin për aplikim të subjekteve politike që do të kërkojnë certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për Kuvende Komunale
Por, kush nuk mundet të kandidojë në këto zgjedhje?
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të ligjit për zgjedhje të përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor”, theksoi ai. /Gazeta Enigma/