Gjykata Kushtetuese të enjten ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës nuk ka bërë shkelje në shkarkimin e anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial (KPK), Agron Beka, më 15 dhjetor të vitit 2023.
Shkarkimi i Bekës ishte dërguar në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës, shkruan Enigma.
Por Kushtetuesja ka thënë se vendimi i 15 dhjetorit 2023 nga Kuvendi nuk ka tejkaluar autorizimet kushtetuese dhe ligjore.
“Vendimi është në përputhje me kompetencat e Kuvendit dhe në bazë të Ligjit të Këshillit Prokurorial…”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Kushtetueses.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e patën shkarkuar Bekën nga pozita e anëtarit të KPK-së. Komisioni për Legjislacion pati miratuar rekomandimin për shkarkimin e Bekës. Inicimi pati ardhur pas hulumtimit të emisionit “Betimi për Drejtësi”, të transmetuar në KTV më 18 shkurt 2023, me titull “Përplasjet institucionale për Agron Bekën”, në të cilin ishin shpalosur pretendimet për shkeljet ligjore nga Beka dhe të tjerë në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”. Në hulumtim shpërfaqej se si Agron Beka kishte ushtruar ndikimin si anëtar i KPK-së për polemikat në Universitet që nuk ndërlidheshin me punën e tij në KPK.