Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka aprovuar kërkesën e dorëzuar nga Lista Serbe për vendosjen e një mase të përkohshme lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.
Kjo masë do të jetë në fuqi deri më 30 shtator 2025.
Sipas aktvendimit të publikuar, masa e përkohshme ka për qëllim të ndalojë rrjedhjen e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i përcaktuar në një nga aktgjykimet e mëhershme të Kushtetueses.
“TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë. shkruhet në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ndryshe, pavarësisht dështimit për zgjedhjen e nënkryetarit serb, Kryeparlamentari Dimal Basha e ka përmbyllur seancën konstituive të shtunën, duke e konsideruar Kuvendin si të konstituuar.