Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka pritur në një takim gjatë ditës së sotme ambasadorin e Serbisë në Podgoricë, Nebojsha Rodiq, ku si temë diskutimi kanë pasur edhe Kosovën.
Në njoftimin zyrtar për këtë takim, të publikuar në ueb-faqen e parlamentit malazez, institucionet e Republikës së Kosovës janë cilësuar si “institucione të përkohshme”.
Kjo, edhe përkundër faktit se Mali i Zi e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur më 9 tetor, 2008.
Në komunikatë është përfolur biseda mes dyshes në takim, pa asnjë citat, dhe Kosovës i është referuar me terminologjinë që e përdor shteti serb, i cili nuk pranon të njohë mëvetësinë e Kosovës.
“Ambasadori posaçërisht theksoi se qëllimi i vetëm që ka kreu i institucioneve të përkohshme në Kosovë, z. Albin Kurti, është t’ua pamundësojë jetën serbëve në Kosovë, jo vetëm në komunat në veri, por në të gjithë territorin”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë.
Komunikata e plotë e Parlamentit të Malit të Zi për takimin Mandiq-Rodiq
Kryetari i Kuvendit bisedoi me ambasadorin e Serbisë
Presidenti Mandiq, para së gjithash, mikut të shtrenjtë të vendit tonë, ambasadorit Rodiq, i dëshiroi mirëseardhje në Kuvendin e Malit të Zi, duke shprehur i kënaqur për takimin mes tyre.
Ambasadori, në kontekstin e raporteve më të mira mes Serbisë dhe Malit të Zi, dhe në pajtim me politikën zyrtare të Jashtme të Republikës së Serbisë, e cila dëshiron të njohë vendet mike, mes të cilave është edhe Malin e Zi, por edhe ato që mendojnë ndryshe, sot kryetarin e njoftoi për, siç tha, sjelljen diskriminuese të një politike të pakuptimtë e cila po zhvillohet ndaj serbëve në veri të Kosovës, duke paralajmëruar se BE-ja nën patronazh të çuditshëm lejon që kjo të ndodhë.
Ambasadori posaçërisht theksoi se qëllimi i vetëm që ka kreu i institucioneve të përkohshme në Kosovë, z. Albin Kurti, është t’ua pamundësojë jetën serbëve në Kosovë, jo vetëm në komunat në veri, por në të gjithë territorin.
Me këtë rast, Rodiq ka dashur të njoftojë dhe njohë kryetarin e Kuvendit, si person i parë i institucionit më të rëndësishëm në Mal të Zi, me qëndrimin zyrtar të Republikës së Serbisë, i cili pasqyrohet në disa pika për zgjidhjen e problemit ekzistues jashtëzakonisht të rëndësishëm të krizës së rëndë në Kosovë, ndër të cilat janë:
– Që zgjedhjet e lira të organizohen sa më shpejt në komunat në veri të Kosovës, ku pushtetin tash e ushtrojnë individë që nuk kanë bazë në vullnetin e qytetarëve të atyre komunave.
– Kthimi urgjent i 700 policëve të nacionalitetit serb në shërbim të institucioneve të përkohshme që duhet të rikthejnë sigurinë dhe paqen në komunat në veri, sepse atje këto ditë po kërcënohen të drejtat elementare të njeriut.
– Zgjidhja e problemit që u ngrit në fushën e drejtësisë, sepse që nga ardhja e kreut të institucioneve të përkohshme në Kosovë, z. Albin Kurti në pushtet, nuk flet më për rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin gjyqësor, i cili u nënshkrua nga Marrëveshja e Brukselit
– Formimi i Asociacionit të Komunave Serbe,
– Lirimi i të gjithë personave të burgosur për arsye politike, duke vënë në dukje se këta persona fillimisht ndalohen dhe vetëm më pas akuzohen për krimin që dyshohet se kanë kryer.
– Gjetja e zgjidhjes së bllokadës së importit të produkteve nga Republika e Serbisë në territorin e Kosovës, sepse tashmë janë bërë 14 muaj nga fillimi i asaj ndalese, ndërsa BE-ja, e cila qëndron për qarkullimin e lirë të njerëzve, informatave dhe mallrave, nuk ka bërë asgjë për të zgjidhur këtë problem
Presidenti Mandiq ka falënderuar ambasadorin Rodiq për informacionin që ka dhënë, duke theksuar se në këtë moment gjëja më e rëndësishme është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ai shtoi se shpreson se do të gjendet një zgjidhje paqësore që do t’u mundësojë serbëve dhe të gjithë popujve të tjerë të jetojnë të qetë në vatrat e tyre shekullore.