Me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, raporton Gazeta “Enigma”.
Gjitha partitë unanimisht kanë votuar për këtë pikë, ndërsa Lista serbe ka lëshuar sallën posa u hodh në diskutim kjo çështje.
Në bazë të rezolutës, dënohet ashpër gjenocidi i shtetit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut si dhe dënohet çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera.
Rezoluta po ashtu fton institucionet shtetërore që të nderojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian e ka shpallur këtë Ditë të Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë, datën 11 korrik të shpallet ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë./Gazeta Enigma/