Kuvendi i Kosovës ka hedhur poshtë deklaratat e deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, i cili mbrëmë deklaroi se ka informacion nga administrata e Kuvendit të Kosovës se 48 deputetë kanë hapur për herë të parë xhirollogari bankare kur e kanë marrë mandatin e deputetit, raporton Gazeta “Enigma”.
Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun, administrata e Kuvendit nuk kërkon të dhëna nga deputetët lidhur me vendet e tyre të mëparshme të punës.
“Administrata e Kuvendit nuk kërkon të dhëna nga deputetët lidhur me vendet e tyre të mëparshme të punës e rrjedhimisht nuk ka bërë dhe as nuk bën analiza e statistika përkitazi me këto punësime. Andaj, thirrja në administratë është e paqëndrueshme”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndërkohë kujtojmë se Selmanaj deklaroi se shumica prej këtyre deputetëve beson të jenë të LVV-së.
“Albin Kurti a ka punuar dikund? Punë e kanë Lëvizjen Vetëvendosje, pa asnjë përvojë. Madje, unë mora informata që 48 deputetë, nuk po them që janë të gjithë të LVV-së, por besoj shumica, për herë të parë kanë hapur xhirollogari bankare kur janë bërë deputetë. Që i bie këta nuk kanë punuar kurrë përpara, ose kanë punuar në të zezën dhe s’kanë marrë rrogë zyrtarisht. I kanë ik tatimeve ose kanë punuar në mënyrë informale. Unë kështu po e shoh. Sipas informative të administratës, për herë të parë kanë hap xhirollogari kur kanë hy në Kuvend të Kosovës”, tha ai. / Gazeta Enigma.