Kuvendi pezullon punën në heshtje

Kuvendi pezullon punën në heshtje

Legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës e ka pezulluar punën krejtësisht në heshtje- pa asnjë njoftim e pa asnjë dekret. Ndryshe nga legjislaturat e mëparshme të konstituara pas shpalljes së Pavarësisë më 2008, të cilat janë shpërndarë për shkak të rrëzimit të qeverive, kjo e tanishmja, për herë të parë e ka përmbyllë mandatin në mënyrë të rregullt.

Rregullorja e legjislativit e përcakton që “Kuvendi e pezullon punën një ditë para fillimit të fushatës për zgjedhjet e rregullta”. E fushata zgjedhore ka nisur më 11 janar dhe do të zgjas deri më 8 shkurt, një ditë para se të hapen kutitë e votimit. Mandati i kësaj legjislature është deri më 22 mars, pikërisht në datën kur mbushen katër vjet nga konstituimi i saj.

I vetmi trup i Kuvendit që ruan vijimësinë e punës në periudhën transitore nga legjislatura e tetë në të nëntën është Kryesia. Funksionaliteti i kësaj trupe është i rregulluar me aktin i cili e rregullon punën e Kuvendit. “Në rastin kur Kuvendi e pezullon punën për shkak të fillimit të fushatës zgjedhore dhe në rastin kur shpërndahet, Kryetari dhe nënkryetarët vazhdojnë punën deri në seancën konstituive, me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë administrative të punës së Kuvendit”, thuhet në Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Pezullimi i punës së legjislaturës së tetë ka rastisur të ndodh në kohën kur deputetët janë në pushim, pas përfundimit të sesionit vjeshtor të punës. Në rrethana tjera, ata do të duhej t’ia nisnin sesionit pranveror të punës në javën e tretë të janarit. Në kabinetin e kryetarit të Kuvendit nuk kanë treguar nëse deputetëve do t’u lejohet qasja në zyre apo do t’u mundësohet shfrytëzimi i aseteve të Kuvendit, përgjatë kohës së pezullimit të punës.

Sa i përket çështjeve që janë proceduar në Kuvend, por që nuk kanë përfunduar deri në mbyllje të sesionit të fundit të kësaj legjislature, ato konsiderohen si të paparashtruara për legjislaturën vijuese, gjithnjë duke u bazuar në Rregulloren  Punës. “Kjo nuk gjen zbatim në rastin e ligjit të miratuar nga Kuvendi e të proceduar për shpallje, në rastin e projektligjit të propozuar nga 10 mijë qytetarë si dhe të peticioneve apo referendumeve dhe të atyre punëve, që nuk kërkojnë të merret një vendim nga Kuvendi”, thuhet në Rregullore.

Përgjatë afro katër vjetëve, Legjislatura e tetë i ka miratuar 282 ligje, ndërkohë që kanë mbetur në procedurë të shqyrtimit edhe 45 projektligje. Një numër i konsiderueshëm i ligjeve të miratuara përgjatë këtij mandati kanë përfunduar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Vetëm në muajin dhjetor të vitit 2024, Grupi parlamentar i PDK-së i ka dërguar 16 ligje në këtë institucion. Në periudha të mëhershme ishin dërguar edhe shtatë të tjera nga partitë opozitare. Kryeministri, Albin Kurti, i cili synon të marrë edhe një mandat si shef qeverie, nuk i ka kursyer kritikat ndaj Kushtetueses me pretendimin se kjo gjykatë po i pengon në veçanti reformat në drejtësi.

Në mesin e vitit të kaluar, kjo gjykatë i pati shpallur në kundërshtim me Kushtetutën disa nene të Ligjit për Byronë për Konfisikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Për Kurtin, Kushtetuesja me aktgjykimet e saj kishte zgjedhur që “të vonojë ndjekjen e krimit dhe të vonojë reformën. “Të dy këto ligje si reforma thelbësore për sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit u konsultuan edhe me Komisionin e Venedikut. Komisioni i aprovoi të dy këto, jo vetëm për shkak të qëllimit që kishin, pra luftimin e korrupsionit por edhe siguronin pavarësi në KPK e dobi publike karshi pasurimit të pabazë kriminal e individual”, pati thënë ai.

Por, nuk është vetëm opozita dhe Gjykata Kushtetuese që i dolën “pengesë” Kurtit në përmbushjen e agjendës legjislative. Për herë të parë pas afro katër vjetësh mandat në krye të shtetit, presidentja Vjosa Osmani, më 18.11.2024 i ka kthyer në Kuvend Ligjin për Këshillin e Sigurisë dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, nën arsyetimin se disa nene të tyre janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Me Rregulloren e Punës së Kuvendit, parashihet që në rastet kur Presidentja e kthen një ligj në Kuvend, Kryeparlamentari ia dërgon atë menjëherë Komisionit përgjegjës-raportues, i cili përgatit Raportin për seancë plenare brenda katër javëve nga dita e pranimit të tij. Por, ky afat ka kaluar qysh më 19.12.2024. Rregullorja e specifikon se në rast se Kuvendi nuk e përmbys veton e Presidentes përmes votimit, atëherë konsiderohet se nuk ka ligj.

Me Kushtetutë parashihet që mandati i Kuvendit mund të vazhdohet vetëm në raste të Gjendjes së Jashtëzakonshme për masa emergjente të mbrojtjes ose në rast të rrezikut ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike të Republikës së Kosovës. Megjithatë, zgjatja e mandatit zgjat vetëm për aq sa zgjat Gjendja e Jashtëzakonshme.

Seanca për konstituimin e legjislaturës së re, që do të dal nga zgjedhjet e 9 shkurtit, thirret nga kreu i shtetit brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Në rast se presidentja nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, atëherë Kuvendi mblidhet vetë në ditën e 30-të. /Kallxo.com

Related Articles