Sot Kuvendi i Kosovës do të shqyrtojë Projektligjin për Buxhetin e Kosovës, për vitin e ardhshëm, raporton Gazeta Enigma.
Seanca plenare fillon në orën 10:00.
Deputetët do ta shqyrtojnë projektligjin për ndarjet buxhetore për vitit 2025, të propozuar e miratuar nga Qeveria në vlerë prej 3.6 miliardë eurove.
Sipas planifikimeve të ekzekutivit nga buxheti i vitit të ardhshëm 930 milionë euro janë planifikuar për investime kapitale.
Projeksionet e Qeverisë flasin për implementim të projekteve të cilat do të ndikojnë në përmirësim të rrjetit të transportit, energjisë elektrike, kushteve në arsim e shëndetësi, një pjesë e madhe e projekteve dhe mjeteve do të jetë e bartur nga ky vit.
916.5 milionë euro nga buxheti janë paraparë për paga e shtesa si dhe 535.97 milionë për mallra dhe shërbime.
Vetëm për pagat e anëtarëve të Kuvendit të Kosovës janë paraparë mbi 3.6 milionë euro, pagat për zyrën e presidentët mbi 1 milionë euro si dhe për kabinetin e kryeministrit Kurti mbi 1 milionë.
Buxheti për nivelin qendror pritet të jetë mbi 2 miliardë e 757 milionë euro, ndërsa për atë lokal rreth 788 milionë euro.
Partitë opozitare PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë projektbuxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm. Por, pozita është e bindur se i ka votat për ta miratuar buxhetin. Buxheti për vitin 2025 do të jetë 3.6 miliardë euro, apo rreth 300 milionë euro më i lartë se buxheti i vitit 2024.