“Kuvendi vazhdon të tallet, me veten dhe me qytetarët”

“Kuvendi vazhdon të tallet, me veten dhe me qytetarët”

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka dal me një deklaratë pas dështimit edhe të seancës së sotme të konstituimit të Kuvendit ku është shprehur se Kuvendi po vazhdon të tallet me veten dhe me qytetarët, raporton Gazeta “Enigma”.

Përmes një postimi në Facebook Cakolli ka shkruar se as sot nuk pati ndryshim, siç u shpreh ai, me shumicën e deputetëve që vonohen pa asnjë ndjesi urgjence, sepse nuk kanë as ngutje, as vullnet për ta zgjidhur ngërçin.

“Kuvendi vazhdon të tallet, jo vetëm me veten, por edhe me qytetarët. Edhe sot, një të dielë, një tjetër seancë për pesë minuta “punë” – pa asnjë ndryshim real. Me shumicën e deputetëve që vonohen pa asnjë ndjesi urgjence, sepse nuk kanë as ngutje, as vullnet për ta zgjidhur ngërçin”, tha ai.

Tutje Cakolli ka theksuar se “në këtë cikël absurd, të gjithë e dinë se publiku është lodhur nga papërgjegjësia politike. Prandaj, kur të ketë vërtet vullnet për marrëveshje, ajo nuk do të ndodhë rastësisht në sallë e as papritur në ditën e seancës. Nëse vjen marrëveshja, ajo do të paraprihet nga sinjale të qarta – deklarata të reja, ton tjetër, narrativë e ndryshuar – veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Qoftë për formimin e institucioneve, qoftë për shkuarjen në zgjedhje”.

“Deri atëherë, shfaqja teatrale vazhdon. Me aktorët e njëjtë, rolet e njëjta dhe një fund të njohur. Fatkeqësisht, edhe me spektatorë që ende presin fund tjetër – nga e njëjta kastë dhe i njëjti skenar”, ka shkruar Cakolli në Facebook. /Gazeta Enigma/

Related Articles