Kuvendi voton pro shqyrtimit të projektbuxhetit

Kuvendi voton pro shqyrtimit të projektbuxhetit

Nga 111 deputetë në sallë, me 75 deputetë për, 35 vota kundër dhe vetëm një abstenim është aprovuar propozimi për shqyrtim të projektligjit të projektbuxhetit.

Ndërsa, votimin e kundërshtoi AAK-ja, LDK-ja e PDK-ja, kurse Lista serbe votoi pro propozimit.

Para këtij votimit ka pasur debate mes pushtetit dhe opozitës, derisa këta të fundit janë shprehur kundër votimit.

Arben Gashi i LDK-së tha se nuk e kupton rëndësinë e kësaj seance të jashtëzakonshme.

“Ne kur ishim në opozitë kishim kritikuar aprovimin e buxhetit në seancat e jashtëzakonshme, kjo që propozohet sot është jashtë logjike. E kemi seancën më 22, nuk po e shohim urgjencë, cili është impakti dhe rrjedha buxhetore, asgjë, sepse ky ligj hyn në fuqi nga 1 janari. Pse e vendosni datën 22 kur ju thosha mos e bëni, s’po e kuptoj pse do ta bëni sot më 17”, deklaroi ai.

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas kësaj, duke thënë se qëllimi i vetëm i kësaj seance të jashtëzakonshme është leximi i dytë i buxhetit 2022.

“Meqë të gjitha procedurat kanë përfunduar dhe gjithçka është e mundur kemi menduar që është më mirë të mos zgjatemi edhe 5 ditë tjera kur mund të mos zgjatemi. Nuk ekzistojnë arsye të tjera. Por kur mundemi pse jo. Meqë keni ardhur dhe jeni të gjithë këtu ju ftoj të mbështetni këtë afrim të datës nga 22 dhjetor në 17”, tha ai.

Deputeti Abelard Tahiri i GP të PDK-së ka deklaruar se e kundërshtojnë logjikën me të cilën sillet mazhoranca.

“E kemi parë të panevojshme të hyjmë në një procedurë të tillë. Ne si PDK do ta kundërshtojmë me votë këtë mocion procedural. Në kuvend duhet të vije atë ditë kur e keni përcaktuar ju me votë pa mbështetjen e Partisë Demokratike. Po ua prishim pak pushimet sepse i keni planifikuar pushimet. Por më i rëndësishëm është buxheti sesa pushimi”, tha ai. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles