Ky është doracaku i Serbisë për mbulimin e targave “RKS”

Ky është doracaku i Serbisë për mbulimin e targave “RKS”

Është publikuar doracaku se si duhet të mbulohen simbolet e Republikës së Kosovës, në pikat kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel për reciprocitetin me targa.

Doracaku në fjalë është parë e ngjitur në ndërtesën e pikë kalimit kufitar në Jarinjë gjatë raportimit të gazetarit të Radio Televizionit Publik të Serbisë, RTS.

Vendosja e letrave ngjitëse në bazë të marrëveshjes së Brukselit pritet të hy në fuqi nga katër tetori.

Doracaku i publikuar për mbulimin e simboleve të Republikës së Kosovës, në pikat kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Me 30 shtator të këtij viti, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bëri të ditur se është arritur një marrëveshje për targat në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ne e kemi një marrëveshje. Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-eskalimin e situatës në veri është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin për gatishmërinë për të negociuar dhe për t’u pajtuar për të mirën e njerëzve”, kishte shkruar Lajçak, në Twitter.

Marrëveshja e arritur përmbante tre pika.

Pika 1: “Forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë, më 2 tetor në orën 8:00 dhe gjithë kjo tërheqje do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë”

Pika 2: “Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, siç është rënë dakord në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE si një masë e përkohshme derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme”.

Pika 3: “Do të krijohet një grup pune i përfaqësuesve të partive të BE -së, Beogradit dhe Prishtinës, dhe i kryesuar nga BE -ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave bazuar në standardet dhe praktikat e BE -së. Takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajtur Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë”.

Ndërsa pika e parë e marrëveshjes është implementuar gjatë ditës së shtune pas largimit të Njësitë Speciale të Kosovës nga dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë, për t’u lënë vend forcave të KFOR-it që do të qëndrojnë për 12 ditët e ardhshme.

Related Articles