Në Gjilan një i dënuar u dërgua për trajtim në Spitalin Rajonal, por atje ai arriti të ikë dhe për këtë pasoi pezullimi i dy zyrtarëve të SHKK-së.
Por kush është i burgosuri që u zhduk dhe dyshohet se u largua nga Kosova?
Gazeta Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për Muhamet Gashin, 40-vjeçar, i cili ka qenë duke vuajtur dënimin në Qendrën Korrektuese në Gjilan, e cila ndodhet në fshatin Pasjak. Gashi ishte dënuar me 3 vjet burgim për veprën penale “Kanosje”, pasi Gjykata e kishte shpallur fajtor lidhur me një rast të mëhershëm për të cilin akuzohej.
Gjatë kohës sa gjendej në burg, atij dyshohet se i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore, për çka ishte dërguar për trajtim mjekësor në Repartin e Psikiatrisë, në Spitalin Rajonal të Gjilanit.
Qëndrimi në spital siç duket ishte një mundësi e Gashit për t’i shpëtuar vuajtjes së dënimit, duke e planifikuar në detaje ikjen, që edhe e jetësoi mbrëmjen e së shtunës.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se Gashi ka arritur që të zhduket përmes dritares së tualetit në repartin ku po trajtohej, pa u vërejtur nga dy zyrtarët korrektues, që ishin caktuar për ta mbikëqyrur të dënuarin.
Nga aty, ai dyshohet se ia ka mbathur në drejtim të panjohur, teksa tash, sipas informacioneve që ka Sinjali, Gashi e ka njoftuar familjen e tij se ndodhet diku në Evropë.
Akoma nuk dihet se si Muhamet Gashi ka arritur ta kalojë kufirin dhe nuk ka rënë në prangat e Policisë, përkundër që prej asaj dite, Policia është njoftuar dhe janë urdhëruar të gjitha patrullat që të vihen në lëvizje për kapjen e tij.
Por ky nuk është rasti i vetëm, kur Gashi ia mësyu arratisjes nga përballja me
Sinjali mëson se edhe në vitin 2019, në fillim të muajit janar, në ditën kur po mbahej seanca dëgjimore ndaj tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Gashi kishte ikur nga salla, pasi fillimisht u bë gjoja se ishte alivanosur.
Por, përkundër tentativave, zyrtarët policorë e kanë kapur dhe i njëjti nuk ia arriti qëllimit.
Ndryshe, deri më tash nuk ka pasur njoftim nga Policia se kanë rënë në gjurmët e tij, teksa nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë njoftuar vetëm se kanë nisur hetimet ndaj dy zyrtarëve që e kanë mbikëqyrur.
Sinjali ka raportuar se bëhet fjalë për dy oficerët Valon Kryeziu dhe Mensur Begisholli, zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, të cilët po dyshohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare në këtë rast.
Ndaj tyre tashmë iniciuar edhe procedura disiplinore, ndërsa, në bazë të vendimit të komisionit disiplinor, ata janë pezulluar nga puna.
Sinjali do të iu mbajë të informuar për detajet e reja të rastit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.