Ky është vendimi i fundit i Apelit ndaj Nuredin Lushtakut

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji ndaj të pandehurve Faton, Nuredin dhe Arif Lushtaku.

Vendimi për vërtetimin e aktvendimit të shkallës së parë në lidhje me caktimin e masës së paraburgimit ndaj të tre të pandehurve si më lartë, është marrë nga Gjykata e Apelit më 20 korrik 2022.

Një masë e tillë iu është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtët kanë kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, kurse Faton dhe Arif Lushtaku për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi kontroll apo posedim të paautorizuar të armës” dhe veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, në bashkim real me veprën penale të mëparshme.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se kundër këtij aktvendimi në afat ligjor ka paraqitur ankesë mbrojtësi i të pandehurit Faton Lushtaku, avokati Agron Hoti për shkak të shkeljeve qenësore të dispozitave të nenit 187 të KPP-së dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Avokati Hoti në ankesën e paraqitur ka propozuar që të ndryshohet aktvendimi dhe i pandehuri të mbrohet në liri, apo t’i caktohet ndonjë masë tjetër alternative.

I njëjti thekson se arsyet për caktimin e paraburgimit nuk ekzistojnë, pasi sipas tij, do të duhej të ekzistonin prova që vërtetojnë bazën e artikulueshme se i pandehuri i ka kryer veprat penale.

Ai kishte shtuar se policia ka marrë të gjitha provat dhe deklaratat e dëshmitarëve, andaj rreziku për fshehjen e provave apo ndikimit në dëshmitarë nuk ekziston, pasi i pandehuri ka premtuar se do t’i përgjigjet thirrjeve, si dhe nuk ekziston as rreziku i ndikimit në fshehjen, apo falsifikimin e provave.

Në pretendimet e mbrojtësit Hoti thuhet se zyrtari policor ka vepruar duke provokuar situatën dhe nxjerrë atë prej kontrollit, duke rrezikuar edhe jetën e të pranishmëve.

“Nuk ekziston as rreziku i përsëritjes sepse nuk ka asnjë provë që do ta inkriminonte të pandehurin. Prandaj, duke marrë parasysh edhe rrethanat personale të pandehurit si ato familjare, propozon si më lartë”, thuhet në vendimin e apelit në lidhje me pretendimet ankimore.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të pandehurit Nuredin Lushtaku, avokati Artan Qerkini ka paraqitur ankesë kundër aktvendimit, duke propozuar që të aprovohet ankesa dhe ndaj të pandehurit të ndërpritet masa e paraburgimit.

Avokati Qerkini kundërshton ekzistimin e dyshimit të bazuar, e sidomos të veprës penale të armëmbajtjes pasi gjatë kontrollit personal, dhe atij të shtëpisë së të pandehurit nuk është gjetur kurrfarë arme.

“Mbrojtja, elaboron pretendimet e saj se nuk ka prova se polici Mërgim Geci të jetë lënduar si pasojë e gjuajtjes me armë të vëllezërve Lushtaku, dhe asnjëri prej dëshmitarëve të dëgjuar (policëve prezent) nuk kanë deklaruar se personat që kanë qenë në veturë të kenë parë ngjarjen, apo të kenë qenë të involvuar”, thuhet në vendimin e apelit në lidhje me pretendimet ankimore.

Avokati Qerkini tutje pretendon se i pandehuri Nuredin, është lëshuar pas intervistimit dhe pasi që është ftuar sërish në një orë tjetër për shkak të presionit mediatik dhe politik, është urdhëruar ndalimi i të njëjtit.

Sipas ankesës, fare nuk ekziston ndikimi në dëshmitarë, pasi që po ta bënte një gjë të tillë do ta bënte gjatë 24 orëve pas incidentit të ndodhur, se dëshmitarët e caktuar janë dëgjuar në përputhje me dispozitat ligjore, për çka nuk mund të ekzistojë ndikimi tek të njëjtit.

Po ashtu, avokati Qerkini pretendon se pikërisht nga funksioni që zyrtarët policorë ushtrojnë, nuk mund të ndikohen lehtë, sepse janë shumë më rezistent ndaj ndikimeve.

Tutje, në vendim thuhet se në afatin ligjor ankesë kundër aktvendimit ka paraqitur edhe mbrojtësi i të pandehurit Arif Lushtaku, avokati Haxhi Millaku për shkak të shkeljeve qenësore të dispozitave të nenit 187 të KPP-së dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

I njëjti në ankesë ka propozuar që të ndryshohet aktvendimi dhe i pandehuri të mbrohet në liri, apo t’i caktohet ndonjë masë tjetër alternative.

“Në ankesën e mbrojtësit të pandehurit Arif Lushtaku avokati Haxhi Millaku, pretendohet se arsyet për të cilat është caktuar paraburgimi kanë pushuar. I pandehuri e ka pranuar lidhur me armën, e cila ka karakteristika të pistoletës me gas dhe nuk ka pasur asnjë shkrepe”, thuhet në vendim.

Po ashtu, avokati Millaku konsideron se policia ka marrë të gjithë provat dhe deklaratat e dëshmitarëve, andaj edhe rreziku për fshehjen e provave apo ndikimit në dëshmitarë, të dëmtuar apo bashkëpjesëmarrës nuk ekziston.

Ai pretendon se i dëmtuari ka shtënë në ajër dy herë dhe një herë në drejtim të kolegut, për çka i ka shkaktuar lëndime trupore.

Ndryshe, Prokuroria e Apelit e Kosovës me shkresën PAR/I.nr.874/22 të datës 15 korrik 2022 ka propozuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të pandehurve Faton, Nuredin dhe Arif Lushtaku, avokatët Agron Hoti, Artan Qerkini dhe Haxhi Millaku, ndërsa aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

Tutje, sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, pretendimet e mësipërme ankimore janë të pabazuara, ngase në aktvendimin e ankimuar janë dhënë arsye të mjaftueshme, në raport me dyshimin e bazuar se të pandehurit janë të përfshirë në veprën penale.

“Kështu, nga shikimi i shkresave të lëndës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit Faton, Arif dhe Nuredin Lushtaku, me datë 02 korrik 2022, rreth orës 23:45 minuta, në Skenderaj në Rr.”Fadil Brustemi”, së bashku kanë sulmuar personin zyrtar, që ka qenë në kryerje të detyrave zyrtare, dhe atë policët Enver Berisha dhe Mërgim Geci, të cilët paraprakisht kishin ndaluar në komunikacion dëshmitarin Arbër Lushtaku, të cilit i kishin shqiptuar një tiketë për shkeljen e rregullave të komunikacionit, i cili më pas e thirrë prindin – tani të pandehurin Nuredin, i cili me të ardhur me automjetin e tij së bashku me vëllezërit – të pandehurit Faton e Arif, kishin filluar të fjalosen me të dëmtuarit respektivisht zyrtarët policorë”, thuhet tutje në gjetjet e gjykatës.

Sipas shkresave të lëndës, thuhet se të njëjtit duke i sharë dhe fyer janë nisur në drejtim të zyrtarëve policorë, dhe atëherë i dëmtuari Enver ka nxjerrë armën dhe ka shtënë dy herë me qëllim që të pandehurit të zmbrapsen, gjersa të pandehurit e kanë goditë të dëmtuarin Enver në kokë, me kodak të armëve që mbanin në dorë, për çka i dëmtuari ishte rrëzuar për toke, dhe është dëgjuar një e shtënë me armë, ku i dëmtuari Mërgim duke ndërhyrë mes tyre është goditur nga një predhë.

“I pandehuri Faton ia rrëmben armën nga dora policit Enver, atëherë dëshmitari Xhemë Murtezaj – zyrtar policor, ka tentuar të ia largojë armën të pandehurit Nuredin, dhe pasi që i dëmtuari Enver ishte i shtrirë në tokë, mbi të cilin ishin dy të pandehurit e tjerë, atëherë dëshmitari Xhemë ka nxjerrë sprejin dhe e ka hedh në drejtim të të pandehurve ku ka dëgjuar të shtënën e armës dhe ka dëgjuar të pandehurin Mërgim duke treguar se është plagosë, ndërsa në atë moment polici Bajram ka ndërhyrë dhe ka dëgjuar fjalët e të pandehurve “ia morëm armën”, gjersa të pandehurit kishin arritur të iknin, ndërsa të dëmtuarve Enver dhe Mërgim iu kishin shkaktuar lëndime trupore”, thuhet tutje në vendim.

Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka vendosur drejtë me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve dhe në mënyrë të qartë ka gjetur se përmbushen kushtet e nevojshme përkitazi me zbatimin e kësaj mase konform nenit 187 par.1 nën par.1.1 dhe 1.2 pika 1.2.2 të KPP-së.

Sipas vendimit të Apelit, janë të drejta gjetjet e gjykatës së shkallës së parë në raport me rrethanat e posaçme që tregojnë se me gjetjen e të pandehurve në liri të njëjtit mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit apo në bashkëpjesëmarrësit.

Tutje, pretendimet ankimore të tre mbrojtësve në lidhje me rrezikun e përsëritjes, Apeli i ka gjetur si të pabazuara, pasi që në rastin konkret, gjykata e shkallës së parë në aktvendim ka refuzuar propozimin për caktimin e paraburgimit mbi këtë kusht të veçantë të masës së paraburgimit, duke gjetur se nuk ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, për shkak të disa rrethanave si dorëzimi vullnetar në polici dhe nga dosjet penale të të pandehurve.

Për këtë arsye, pretendimet e tilla nuk konsistojnë me gjetjet e gjykatës së shkallës së parë, sepse rreziku i tillë nuk është konstatuar se ekziston, për çka gjykata e shkallës së parë masën e paraburgimit e ka arsyetuar mbi dyshimin e bazuar dhe kushtin e veçantë nga neni 187 par.1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.2 të KPP-së.

Në këtë vendim Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur të pandehurve iu ka caktuar masën e paraburgimit në pajtim me nenin 187 të KPP-së, ngase masat e tjera të parapara nga neni 173 të KPP-së, janë të pa mjaftueshme për sigurimin e prezencës së tyre në procedurë, në rrjedhjen normale të procedurës penale dhe në parandalimin e kryerjes apo përsëritjes së veprave penale.

Sipas arsyetimit të vendimit, gjetjet e gjykatës së shkallës së parë janë pranuar në tërësi për të gjitha arsyet e lartcekura, ndërsa pretendimet e mbrojtësve të pandehurve janë gjetur si të pabazuara.

Po ashtu, Apeli konsideron se qëndron fakti se masa e paraburgimit është masa më e rëndë për sigurimin e pranisë të pandehurit, megjithatë në rastin konkret nga rrethanat e çështjes, është masa e vetme që mund të evitojë rrezikun e paraparë me kushtet e veçanta të caktimit të paraburgimit, dhe rrjedhimisht mund të sigurojë praninë e të pandehurve në procedurë penale. /BetimipërDrejtësi

Related Articles