“Ky takim sot ishte më i vështiri” – Në prag të një vjetorit të vrasjes së Liridona Ademaj, Kusari takon nënën e saj

“Ky takim sot ishte më i vështiri” – Në prag të një vjetorit të vrasjes së Liridona Ademaj, Kusari takon nënën e saj

Juristja Flutura Kusari, ka takuar nënën e Liridona Ademajt, në prag të një vjetorit të vrasjes së saj.

Kusari thotë se ky takim ishte më i vështiri derisa tregon se është ndjerë e mërzitur teksa ka dëgjuar për takimet me fëmijët e tashmë të ndjerës, Liridonës, detajet e të cilave për arsye ligjore thotë se nuk mund t’i ndaj.

“Nuk ka fjalë apo ngushëllim që mund t’i ndihmojë nanes dhe familjes së saj. Vetëm drejtësia e shpejtë dhe profesionale mund t’iu sjellë qetësi. Ndonëse ende ka afat, jam e habitur që ende nuk është ngritë aktakuzë ndaj të dyshuarëve”, shkruan Kusari.

Tutje ajo thotë se “Naimi dhe të tjerët duhet të akuzohen për vrasje të rëndë sepse kanë kryer vrasje mizore dhe në mënyrë dinake dhe meritojnë burgim të përjetshëm”.

Çfarë kishte ndodhur me Liridona Ademaj?

Liridona Ademaj është vrarë më datë 29 nëntor të 2023-tës.

Për vrasjen e saj janë arrestuar tre persona si të dyshuar, Naim Murseli i cili është bashkëshorti i tashmë të ndjerës, Granit Plavës si dhe Kushtrim Kokallës.

Të arrestuarit ngarkohen me veprën penale si në vijim:

Naim Murseli – kryerje e veprës penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”

Granit Plava – kryerje e veprës penale “Vrasje e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Dhe i pandehuri Kushtrim Kokalla – kryerje e veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë”. /Gazeta Enigma

Related Articles