Të dërguarit e BE-së dhe SHBA-ve, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar edhe gjatë ditës së sotme pritet të qëndrojnë në Kosovë.
Ata fillimisht nga ora 9:45 minuta do të takohen me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në njoftimin e presidencës bëhet e ditur se takimi do të zhvillohet në ora 09:45.
“Në orën 09:45, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajčák, si dhe të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të SHBA-ve, Gabriel Escobar”, thuhet në njoftim.
Pas takimit me Osmanin, ata do të nisen edhe drejt Serbisë.
Por, Escobar dhe Lajçak para se të nisen drejt Serbisë, do të takojnë edhe liderët e partive opozitare.
Pas takimit me Osmanin, këta dy të fundit do të zhvillojnë një takim me përfaqësuesit e partive opozitare.
Kjo vizitë e Escobar dhe Lajçak në Kosovës vjen pas tensioneve në veri që u shkaktuan pas hyrjes së kryetarëve të rinj nëpër objektet komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
Në takimin me Kryeministrin Kurti, Escobar dhe Lajçak paraqitën tri kërkesa, mirëpo siç tha ky i fundit për zgjedhjet nuk u pajtuan.
“Ne prezantuam propozimin në kuadër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri pika. I pari de-eskalimi, i dyti zgjedhjet e reja të shpejta dhe i treti kthimi te dialogu. Patëm një diskutim të gjatë, të sinqertë dhe të vështirë me kryeministrin për këto pika. Nëse do të kishim arritur një dakordim [për zgjedhjet], do e thoja”, tha Lajçak para gazetarëve.