Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, do t’i vizitojë Prishtinën dhe Beogradin në fillim të shkurtit.
Kështu bëhet e ditur në një zbulim jozyrtar të Radio Europa e Lirë, ku përmes burimesh, po ashtu thonë se gjatë vizitës Lajçak do të zhvillojë takime me të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Edhe pse Brukseli thekson se detajet e takimit janë ende duke u përgatitur, sipas planit paraprak, vizita e Lajçakut dhe Escobarit është planifikuar për 1 dhe 2 shkurt dhe Beogradi do të ishte ndalesa e parë.
Krahas përpjekjeve gjithëpërfshirëse për ringjalljen e procesit të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve, ndërmjetësit evropianë dhe amerikanë, do të ngrenë edhe çështjen e votimit të qytetarëve serbë në Kosovë në procesin zgjedhor serb.
BE-ja shprehu keqardhjen që autoritetet e Kosovës penguan votimin e qytetarëve serbë të Kosovës për referendumin kushtetues në Serbi.
Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, përkundër faktit se nuk ka marrëveshje për këtë, “ekziston ende një praktikë e vendosur”, sipas së cilës, serbët e Kosovës mund të votonin në Kosovë nga viti 2012 deri në vitin 2020, dhe votat janë mbledhur nga OSBE-ja.
Miroslav Lajçak vizitoi për herë të fundit Kosovën dhe Serbinë në nëntor të vitit të kaluar.
Qëkur Albin Kurti ka drejtuar Qeverinë e Kosovës dhe ka udhëhequr dialogun në emër të Prishtinës, janë mbajtur dy takime në nivelin më të lartë politik. Në të dyja rastet u konfirmua se palët ishin të distancuara në qëndrimet e tyre.
BE-ja gjithmonë ka theksuar se do të organizojë një takim të ri mes presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, vetëm atëherë kur palët të tregojnë gatishmëri për të rënë dakord për rezultate konkrete në të mirë të qytetarëve të tyre. /Gazeta Enigma/.