Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, është takuar sot në Bruksel me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë.
Më një postim në Twitter ka bërë të ditur se gjatë takimeve të ndara me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviq ka përsëritur qëndrimin e vendeve anëtare të BE-së se është i nevojshëm një përparim në rrjedhën e dialogut.
“Sot prita dy kryenegociatorët dhe delegacionet e tyre në takime të veçanta për çështjet e pazgjidhura dhe rrugën përpara në dialog. Unë gjithashtu i informova për Këshillin e BE-së të hënën dhe përsërita pritjet e vendeve anëtare. Është koha për përparim të vërtetë.
Ndryshe, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë nuk kanë zhvilluar takim të përbashkët në ditën e parë të bisedimeve në Bruksel, me ndërmjetësimin e Lajçak.
Delegacioni serb ka dalë më një komunikatë pas takimit në Bruksel, duke thënë se “varet nga Prishtina” nëse më vonë gjatë ditsë do të ketë takim trepalësh në Bruksel: BE – Kosovë – Serbi.
Sipas njoftimit, pala serbe ka shkuar në Bruksel për të folur për Asociacionin dhe tema të tjera.
“Ne kemi ardhur të bisedojmë dhe jemi absolutisht të gatshëm për bisedime me Prishtinën. Për këtë jemi këtu. Tash në pyetje është konstruktiviteti i tyre se a do të vijë deri te takimi direkt, gjithçka varet nga Prishtina. Ne kemi ardhur në Bruksel duke u nisur nga ftesa e BE-së që sot të flasim për formimin e Asociacionit. Kështu është potencuar në ftesën e BE-së të datës 30 shtator”, thuhet në komunikatën e delegacionit të Serbisë.
Qeveria e Kosovës në disa raste ka thënë se nuk do të themelojë asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive. /Gazeta Enigma/.