Më shumë se një dekadë janë bërë prej kur Kosova dhe Serbia nisën fazën e dialogimit, teksa ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke midis dy shteteve, çka ishte qëllimi kryesor i nisjes së negociatave, shkruan Gazeta Enigma.
Kosova shpejt pritet t’i mbajë zgjedhjet parlamentare e deri atëherë nuk pritet ndonjë zhvillim konkret në dialog. Kjo për faktin se i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak e përfundon mandatin në fund të këtij muaji.
Njohësit e çështjeve politike, fajin për ngecjen e dialogut ia lënë udhëheqësve nga BE-ja, të cilët, sipas tyre, gjithmonë kanë “përkëdhelur Serbinë e kanë qortuar Kosovën”, teksa një gjë e tillë sipas tyre nuk ishte e arsyeshme.
“Dialogu është keqpërdorur, ka qenë i njëanshëm, joparimor”
Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, thotë për Gazetën Enigma se Bashkimi Evropian që nga fillimi nuk i ka parë palët në të njëjtën vijë.
“Fatkeqësisht, dialogu që nga fillimi ka shkuar keq, ka shkuar në frymën e lejimit të ndërmjetësuesit që Serbia të bëjë lojën e vetë djallit politik dhe ta keqpërdorë dialogun, duke mos e pranuar si palë të barabartë Kosovën, duke mos pranuar që të dialogojë në frymën e parimeve standarde që palët në radhë të parë duhet të kenë soliditet të barabartë në biseda dhe duke mos i respektuar dhe zbatuar ato marrëveshje”, shprehet Baraliu për “Enigmën”.
Ai thotë se gjatë udhëheqjes së ish-kryediplomatit Josep Borrell dhe udhëheqësit në largim, Mirosllav Lajçak – të cilët jo fort janë admiruar nga udhëheqësit kosovarë dhe populli në përgjithësi – dialogu ka qenë i njëanshëm dhe joparimor.
“Gjatë mandatit të Lajçakut dhe Borrellit në katër vjetët e kaluara, dialogu është keqpërdorur, ka qenë i njëanshëm, joparimor. Të dytë udhëheqësit kanë qenë nga shtetet mosnjohëse dhe kjo i ka dhënë rast Serbisë, duke e përkrahur haptazi Serbinë dhe duke e qortuar Kosovën padrejtësisht, pa asnjë bazë. Pra dialogu ka qenë i drejtuar keq dhe tani është në një gjendje të vdekur”, deklaroi Baraliu.
Baraliu thotë se një udhëheqës i ri i dialogut duhet të jetë nga një shtet njohës i shtetit të Kosovës, “parimor, korrekt dhe i paanshëm në ndërmjetësim”.
Në të kundërtën, ai propozon që Kosovë të tërhiqet nga dialogu dhe të merret me problemet e tjera të brendshme.
“Mendoj se dialogu nuk duhet vazhduar nga udhëheqësia e re e Kosovës, kushdo që të jetë ajo, aq më tepër pas sanksioneve tëBashkimit Evropian, dy agresioneve në Banjskë dhe në kanalin Ibër-Lepenc, thjesht duhet të kushtëzojë dialogun. Kosova ka punë të veta të brendshme me të cilat duhet të merret dhe jo tëhumb kohë. Nëse Serbia vazhdimisht deklaron se nuk do ta njohë Kosovën, atëherë për çka ai dialog? Nuk duhet që Kosova ta nënçmojë veten në këtë mënyrë”.
“Pa SHBA-në, vështirë të ketë zbatim të marrëveshjeve”
Njohësi tjetër i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, thotë se pa përfshirjen më të thellë të Shteteve të Bashkuara në dialog, është vështirë që të kemi zbatim të marrëveshjeve.
“Do të ishte mirë që SHBA-ja ta kishte një përfaqësues të tillë, i cili do ishte pragmatik në detyrimin e palëve, qoftë Kosovës apo Serbisë, që në një formë apo tjetër, t’i zbatojnë të gjitha ato marrëveshje që janë arritur më parë”, deklaroi ai.
Sadiku tha se ka shpresa të mira për udhëheqësin e ri të dialogut Kosovë – Serbi nga BE-ja, “pasi që kemi pasur disa emra qoftë nga Finlanda, Danimarka, apo Sllovenia, të cilët mund të jenë përfaqësues të BE-së në dialog”.
BE-ja u kritikua edhe nga kryeministri Kurti
Kryeministri Albin Kurti tha të hënën se nëse dialogu Kosovë-Serbi ka dështuar, kjo ka ardhur si pasojë e mosreagimit të Brukselit ndaj shkeljes së marrëveshjes nga ana e Serbisë.
I pari i Qeverisë së Kosovës tha se nuk pritet zbatim i marrëveshjes, kur nuk ka ndëshkim për shkelje të saj.
“Nëse ka dështuar diçka, ka dështuar referimi mbi shkeljet e marrëveshjes. Sepse Serbia e ka shkelur marrëveshjen që e ka pranuar, dhe më pas gjyqtarët, referat, arbitrit, Brukseli nuk ka reaguar. Këtu është dështimi”, tha Kurti.
“Nuk mund të presim zbatim të një marrëveshje, nëse nuk ka ndëshkim për shkeljen e saj”, u shpreh tutje ai.
Kurti po ashtu tha se nuk mund të flitet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, “duke braktisur njohjen reciproke”.
“Nuk mund të flasim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke braktisur njohjen reciproke. Pra, në qendër të marrëveshjes bazike është së paku njohja reciproke defacto. Unë nuk e mohoj që pararendësit dy herë e kanë nënshkruar Asociacionin, më 2013 dhe 2015, nuk e mohoj një gjë të tillë, mirëpo në të njëjtën kohë nuk pranoj që të vendoset në qendër Asociacioni në raportet Kosovë-Serbi”, deklaroi Kurti.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordim për marrëveshjen e Brukselit në shkurt 2023, dhe Aneksit të Ohrit në mars të atij vitit, por nuk ka pasur zbatim. /GAZETA ENIGMA