Profesori amerikan, Edward Joseph, e ka përgëzuar Emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për marrëveshjen e arritur në Bruksel për çështjen e targave, raporton Gazeta Enigma.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Joseph ka thënë se e ka përgëzuar Lajçakun për uljen e tensioneve në veri me ndërmjetësimin e marrëveshjes.
“I nderuar të takohem me Miroslav Lajçakun për diskutime të shkëlqyeshme e të gjera. Përgëzime për ndërmjetësimin e marrëveshjes së shpejtë për uljen e tensioneve në veri të Kosovës”, ka shkruar Joseph.
Ndryshe, Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak po e zhvillon një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vizita e Lajçak në SHBA është e para prej kur ai e mban postin e të dërguarit special të BE-së.
“Sapo mbërrita në Washington DC për vizitën time të parë në SHBA në cilësinë time aktuale si Përfaqësues Special i BE-së. Mezi pres të takohem me miqtë amerikanë këtu dhe në New York”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Lajçak javën e kaluar e ndërmjetësoi takimin mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjen e arritur të enjten për shtensionimin e situatës në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak pas 13 ditësh.
BE-ja mori parasysh edhe kërkesën e Serbisë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilën e cilësoi si shqetësim.