Lajçak pas takimit me Vuçiqin: Kisha një bisedë të gjatë dhe të detajuar

Lajçak pas takimit me Vuçiqin: Kisha një bisedë të gjatë dhe të detajuar

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, po qëndron për vizitë në Beograd, ku është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.



Përmes Twitter-it, Lajçak ka njoftuar se ka shumë gjëra për të biseduar pas takimeve që ka ai këtë javë.

“Në vazhdim të diskutimeve për rrugën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja pata një bisedë të gjatë e të detajuar me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Shumëçka për të biseduar, marrë parasysh takimet e mia këtë jave”, shkruan Lajçak.

Ndryshe, sot është paralajmëruar se Lajçak do të ketë takime të veçanta me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petro Petkoviq.

Sipas mediave serbe Lajçak sot sjell në Beograd mesazh se çfarë pret BE-ja dhe vendet anëtare nga vazhdimi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve.

Lajçak do të përpiqet të vlerësojë mundësitë për përparim në dialog dhe një takim të mundshëm mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti deri në fund të këtij viti, u I kanë thënë Tanjgut në Bruksel.

Vizita e Lajçakut në Beograd, e më pas në Prishtinë, vjen pas debatit të Këshillit të BE-së për dialogun, por edhe pas një raundi tjetër të pasuksesshëm të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së do t’u përcjellë drejtpërdrejt të dyja palëve pritshmëritë e shprehura në debatin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm, ku ai vetë mori pjesë”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. /Gazeta Enigma/.

Related Articles