SC Gjilani ka marrë një lajm të keq nga stafi mjekësor për mesfushorin Albert Dabiqaj i cili u lëndua në ndeshjen ndaj Llapit, shkruan Gazeta Enigma.
Dabiqaj kishte lënduar ligamentet e gjurit të majtë në duelin ndaj Llapit në kuadër të Superligës dhe ai nuk do të jetë në gjendje ta ndihmojë skuadrën e tij në katër ndeshjet e ardhshme.
Kapiteni i Gjilanit do të mungojë edhe në gjysmëfinalen e parë në kuadër të Kupës së Kosovës, që “Skifterat” e zhvillojnë ndaj Llapit.
Kujtojmë që ish-mesfushori i Feronikelit ishte në super formë duke i shënuar pesë gola ndaj Trepçës ’89 në Kupë të Kosovës.
Gjilani ndeshjen e ardhshme e luan më 1 prill në Suharekë ndaj Ballkanit.